Dita e fundit për marrëveshje me Iranin

Ministrat e gjashtë fuqive botërore kanë filluar të martën në mëngjes bisedimet me ministrin iranian të Punëve të Jashtme, Mohammad Javad Zarif, në përpjekje që deri në mbrëmje të arrijnë një marrëveshje bërthamore me Iranin.

Bota

31/03/2015 09:40

Përfaqësues nga SHBA-të, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Kina dhe Rusia javën e kaluar janë mbledhur në Lozanë të Zvicrës, me qëllim që të bindin Iranin të kufizojë për të paktën një dekadë pasurimin me uranium, pasi dyshojnë se Teherani zyrtar ka për qëllim edhe prodhimin e bombës bërthamore.

Nga ana tjetër, autoritetet iraniane mohojnë se janë duke u përpjekur për të zhvilluar armë bërthamore, duke thënë se programi i Iranit është paqësor dhe ka si qëllim vetëm zhvillimin ekonomik.

Zyrtarët amerikanë, sipas BBC-së, kanë thanë se të gjitha palët kanë rënë dakord për një qasje “hap pas hapi” për arritjen e një marrëveshje të mundshme të martën në mbrëmje (sonte), porse sipas tyre, një nga pikat kryesore të fërkimit midis palëve është edhe ajo se sa objekte bërthamore të Iranit do të jenë të hapur për inspektim nga inspektorët ndërkombëtarë

Fuqitë botërore, të njohura si Grupi P5+, pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së plus Gjermania, duan të sigurohen që Irani nuk do të mund të zhvillojë armë bërthamore. Ndërsa Izraeli, fqinje e Iranit, kundërshton marrëveshjen e mundshme, pasi sipas Tel Avivit zyrtar, marrëveshja, megjithatë, do t’i jepte mundësi Teheranit të posedojë armë bërthamore.