Serbia bën spastrim etnik në Luginë!

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu, ka thënë se Serbia po bën spastrim të heshtur etnik në Luginën e Preshevës.

Lajme

31/03/2015 08:10

Musliu ka deklaruar në një intervistë për “Epokën e Re” se me çdo kusht Beogradi është duke tentuar ta ndryshojë strukturën nacionale të popullsisë në Luginë.

Ai ka vlerësuar se situate në Luginë është e njëjtë sikurse ajo e Kosovës në vitet e 90-ta.

“Ne për të gjitha ngjarjet dhe fenomenet diskriminuese, si komuniteti më i diskriminiuar në Evropë, e kemi njoftuar bashkësinë ndërkombëtare, qoftë ambasadat e akredituara në Beograd, qoftë edhe komunitetin ndërkombëtar të Bashkimit Evropian, OSBE-në apo edhe Këshillin e Evropës”, ka theksuar Musliu.

Ish-udhëheqësi politik i UÇPMB-së ka thënë se pa ndihmën e Prishtinës dhe Tiranës lidershipi i Luginës e ka vështirë të përballet me fuqinë politike dhe ushtarake serbe.

“Ne vazhdimisht kemi kërkuar që Qeveria e Kosovës, në bisedimet me Beogradin, ta fusë në agjendë edhe çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, por deri më tash ka qëndruar indiferente ndaj kërkesës sonë”.

“Kemi kërkuar që të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës së paku të vendosen në marrëdhënie reciproke me të drejtat e serbëve të Kosovës”, është shprehur ai.