Koci kundër bartjes së kompetencave për Specialen: Duhet të gjendet një rrugë që mund të zbatohet
Avokati Arianit Koci ka reaguar lidhur me propozimin për ndryshimin e mënyrës së kontrollit të kushtetutshmërisë së Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke shprehur shqetësimin se një ndryshim i tillë mund të mos jetë i zbatueshëm. Koci ka thënë se edhe ai dëshiron t’u ndihmojë ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por sipas tij, kjo…
Lajme
Avokati Arianit Koci ka reaguar lidhur me propozimin për ndryshimin e mënyrës së kontrollit të kushtetutshmërisë së Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke shprehur shqetësimin se një ndryshim i tillë mund të mos jetë i zbatueshëm.
Koci ka thënë se edhe ai dëshiron t’u ndihmojë ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por sipas tij, kjo nuk është mënyra e duhur.
Sipas tij, problemi qëndron te neni 162, paragrafi 3 i Kushtetutës së Kosovës, i cili, sipas interpretimit të tij, i njeh Dhomës Kushtetuese në Hagë kompetencën ekskluzive për referimet kushtetuese që lidhen me Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar.
“Këtë kompetencë nuk mundemi me ia heqë vetëm duke ndryshu ligjin”, ka shkruar Koci.
Ai ka paralajmëruar se, pa u zgjidhur kjo çështje, ekziston rreziku që pas votimit të ndryshimeve të thuhet se është tentuar, por nuk është arritur qëllimi.
“Me shpresën e popullit dhe të familjeve nuk duhet me lujt”, ka theksuar ai, duke kërkuar që në këtë proces të dëgjohen profesionistët që, sipas tij, e vendosin interesin e vendit mbi kalkulimet politike.
Koci ka thënë se është i gatshëm të kontribuojë në gjetjen e një zgjidhjeje që mund të zbatohet në praktikë.
Në fund, ai u është drejtuar deputetëve me disa pyetje para se të votojnë për ndryshimet.
“Çka ndodh pas votimit? Si kanë me u zbatu këto ndryshime dhe si kanë me iu ndihmu çlirimtarëve?”, ka pyetur Koci, duke shtuar se përgjegjësia e deputetëve nuk përfundon me votimin. /Lajmi.net/