Ligjet e mbrojnë konsumatorin, por ato nuk zbatohen sa duhet

Dita Ndërkombëtare e Konsumatorit, qytetarët e Kosovës i gjen në një pozitë mjaft të pambrojtur. Përfaqësues të organizatave që merren me këtë çështje thonë se konsumatori vazhdon të jetë i rrezikuar nga produkte të dyshimta dhe me afat të skaduar.

Lajme

15/03/2015 10:27

Ata kërkojnë nga autoritetet e Kosovës që të jenë më të vëmendshme karshi kësaj problematike dhe të ndërmarrin masa adekuate për mbrojtjen e jetës së qytetarit.

Kryetari i OJQ-së “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë flet për një gjendje jo të mirë sa i përket mbrojtjes së qytetarëve nga produktet e dyshimta në treg.

“Nëse kemi parasysh aferat e fundit që u bënë për miell dhe grurë me cilësi të dyshimtë, që thuhet se janë në tregun e Kosovës, dhe po ashtu për një numër të madh të produkteve tjera të dyshimta, të cilat janë zbuluar nga organizata jonë, mendoj se gjendja është tejet shqetësuese”, thotë ai.

Sipas Kaçanikut, Ligji për mbrojtjen e konsumatorit nuk zbatohet as 40 për qind në Kosovë, dhe mos zbatimi i këtij ligji tregon rrezikun që konsumatori mund ta ketë.

Kosova, që nga viti 2004 ka Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit. Ky ligj përcakton, rregullon dhe mbron të drejtat themelore të konsumatorëve gjatë blerjes së mallrave. Ligji siguron mbrojtjen e shëndetit, mjedisit, dhe interesave ekonomike të konsumatorit.

Përveç Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, në Kosovë ekziston edhe programi i hartuar nga Qeveria e Kosovës për mbrojtjen e konsumatorit 2010-2015.

Për produktet e dyshimta në tregun e Kosovës flasin edhe qytetarët, të cilët thonë se mos kontrollimi i duhur ka bërë që në treg të ketë artikuj të ndryshëm me afat të skaduar.

Nita Sinani, një qytetare nga Prishtina, tregon rastin kur ajo ishte helmuar nga një produkt me afat të skaduar, të cilin e kishte blerë në një nga marketet në kryeqytet.

“Kam blerë një produkt me afat të skaduar dhe kam përfunduar te mjeku, nuk e di si ka ndodhur. Nuk e kam shikuar afatin pasi që ai produkt ishte në shitje. Mendoj se do të duhej të bëhej një kontroll më i madh i marketeve. Që nga ajo ditë unë jam më e kujdesshme kur blej produktet, çfarëdo qofshin ato”, thotë Nita.

Për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve nga produktet e dyshimta vepron Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës e Kosovës.

Lamir Thaçi, zëdhënës i AVUK, thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjitha produktet që hyjnë në tregun e Kosovës kontrollohen dhe se asnjë produkt i dyshimtë nuk lejohet të qarkullojë në treg.

Thaçi tregon se në rastet kur raportohet nga qytetarët se ne treg ka një produkt të dyshimit, inspektorët konfiskojnë atë produkt dhe e ndalin për qarkullim.

“Çdo ngarkesë që hyn në Kosovë i nënshtrohet kontrollit të inspektorëve përkatës dhe varësisht nga kontrolli e rezultati i analizave që dalin, vendoset që një produkt të dalë në treg apo jo. Po ashtu, kemi planin nacional për kontroll, ku ushtrojmë kontroll mbi të gjithë prodhuesit dhe tregtarët brenda vendit”, thotë ai.