Fazliu: Publikimi i listave nuk varet nga protestat
Procesi i publikimit të plotë të listave të veteranëve ende nuk dihet se kur do të përfundojë. Por as protestat e paralajmëruara për të mërkurën nuk do të mund ta përshpejtojnë këtë proces.
Lajme
Udhëheqësi i Zyrës për Veteranët e Luftës së UÇK-së në Zyrën e Kryeministrit Faik Fazliu tha për KosovaPress se procesi i publikimit të listave nuk varet nga protestat e paralajmëruara.
“Ky proces nuk varet apo jo nga protesta e tyre. Kjo varet nga zinxhiri komandues. Edhe ata e dinë se procesi po shkon drejt fundit”, tha shkurt Fazliu.
Kryetari i Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, tha ditë me parë se vendimin për protestë e kanë marr pasi që në vazhdimësi po u bëhen padrejtësi duke mos i publikuar listat.
“Të mërkurën do protestojmë për shkak se po na bahen në vazhdimësi padrejtësi… Sa më shpejtë listat e veteranëve të Luftës të publikohen dhe të zbatohet Projektligji për veteranët e luftës së UÇK-së”, ka thënë të dielën Qeriqi.