Kapet një i dyshuar për vrasjen në Shkodër, i gjendet laborator droge

Një person është arrestuar nga Policia e Shkodrës i dyshuar si një nga autorët e konfliktit me armë zjarri mbrëmjen e djeshme, ku për pasojë humbi jetën një 19 vjeçare si dhe u plagosën 2 persona të tjerë.

Lajme

08/03/2015 10:59

Burime nga policia e Shkodrës bëjnë të ditur se i dyshuari, emri i të cilit nuk dihet ende, është vënë në pranga rreth orës 02:00 të mëngjesit të së dielës. Po të njëjtat burime theksojnë se gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, i është gjetur dhe sekuestruar një laborator i përpunimit të hashashit.

I arrestuari dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri si brenda ashtu edhe jashtë ambienteve të lokalit me muzikë live “Argenti” në Kryebushat të Shkodrës.

Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, humbi jetën mbrëmë 19-vjeçarja Elsa Tusha, e cila u gjet në sedijen e pasme të mjetit tip “BMË X5”. Sipas hetimeve të policisë, viktima është qëlluar aksidentalisht nga autorët. Po ashtu nga verifikimet e uniformave blu ka rezultuar se targat e automjetit të jenë false.

Ndërkohë të shtënat me armë zjarri kanë sjellë edhe plagosjen e Selim Alecit, 56 vjeç, dhe Paulin Nojës, 30 vjeç, të cilët janë dërguar në Spitalin Rajonal Shkodër. Hetimet e policisë për ngjarjen vazhdojnë për zbardhjen e plotë të saj, ndërkohë që lakohet emri edhe i një të dyshuari tjetër, njofton Shqiptarja.com