Thaçi për Reuters: BE t’i hap dyert rajonit, që të evitojë rrezikun nga Rusia dhe ISIS-i

Zëvendëskryeministri njëherësh ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë për Reuters se ai shpreson se në muajt e ardhshëm Kosova do të ketë rezultate të prekshme, siç është për heqjen e regjimit të vizave.

Lajme

03/03/2015 16:23

“Është koha që Brukseli të lëvizë nga retorika dhe fjalët e bukura për Kosovën dhe të marrë masa konkrete”, tha Thaçi pas takimit që pati të martën në Berlin me homologun e tij gjerman Frank-Walter Steinmeier.

Anëtarësimi në BE është një aspiratë e përbashkët e vendeve të Ballkanit, përfshirë këtu edhe Serbinë, dhe kjo për zëvendëskryeministrin thaçi do të thotë se “përfundimisht do ta detyrojë Serbinë të pranojë realitetin” dhe të pranojë pavarësinë e Kosovës.

Thaçi bënë thirrje që procesi i anëtarësimit për Kosovën të përshpejtohet.

“BE-ja nuk duhet të vonojë procesin e integrimit të Kosovës dhe të mbarë rajonit në Bashkimin Evropian por edhe në NATO”, thotë ai, transmeton lajmi.net.

Rusia vjet tërhoqi paralele në mes të aneksimit të Krimesë dhe ndëryrjes së NATO-s në Kosovë në vitin 1999. Por, Thaçi nuk e pranon një gjë të tillë dhe thotë se e ardhmja e Prishtinës zyrtare është në “familjen euro-atlantike”.

“Çdo vonesë në këtë proces është e rrezikshme. Kjo gjë hap rrugën e depërtimit dhe rritjes së ndikimit të Rusisë në aspektin politik, ekonomik dhe ushtarak”.

“Por kjo gjë gjithashtu hap rrugën që ISIS të depërtoj në rajon dhe të ketë ndikim në rajon”, thotë ai duke iu referuar ISIS-it.

Duke folur për numrin e madh të personave që kanë lëshuar Kosovën në mënyrë ilegale dhe janë nisur drejt vendeve të BE-së, Thaçi thotë se ky numër kohëve të fundit ka rënë në mënyrë drastike.

“Ajo që mund të them me besim të plotë është se numri i njerëzve që duan të largohen nga Kosova ka rënë në mënyrë drastike”, ka thënë Thaçi për Reuters, transmeton lajmi.net. (lajmi.net)