Kosova i shmanget rrugës palestineze të anëtarësimit në OKB

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Hashim Thaçi beson se shteti i tij mund të anëtarësohet më shpejt në NATO dhe në BE, sesa në OKB.

Lajme

22/01/2015 21:24

Ai dëshiron ta shmangë rrugën nëpër të cilën Palestina dëshiron të hyjë në Kombet e Bashkuara. Kështu tha ai të mërkurën, gjatë një bisede me agjencinë austriake të lajmeve APA. Thaçi shpreson se Rusia do të ndërrojë pozicionin për anëtarësimin në OKB.

“Ky nuk është modeli ynë i preferuar, ne ndjekim një tjetër proces të ndërtimit të shtetit”, tha Thaçi kur u pyet lidhur me rrugëtimin e palestinezëve për ta etabluar veten si një palë shtetërore e plotfuqishme në planin ndërkombëtar, pasi që pa një zgjidhje mes dy shteteve në Lindjen e Afërt nuk kishte pasur ndonjë progres me vite të tëra.

Përkundrazi, Thaçi është i vendosur për të punuar për njohjen e Kosovës nga shtetet e tjera dhe për një ndërrim të pozicionit të Rusisë ndaj Kosovës. Në OKB një shtet mund të pranohet nga anëtarësia e tërë – në bazë të rekomandimit të Këshillit të Sigurimit, e ku Rusia ka të drejtë vetoje, si dhe e përkrah aleatin tradicional të saj Serbinë, në pozicionin e tyre për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Kosova, përpara një provincë e Serbisë, pas një lufte dhe shumë viteve nën administrimin e OKB, në vitin 2008 shpalli zyrtarisht ndarjen nga Beogradi. Deri më tani, 110 nga, 193 vendet anëtare të OKB e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, shkruan APA, transmeton Indeksonline.

“Unë shpresoj se edhe qëndrimi i Rusisë do të ndryshojë”, tha Thaçi, “sidomos kur të vijë deri te normalizimi i ndërmjetësuar nga BE-ja, midis Serbisë dhe Kosovës”. Nuk ka më asnjë argument për të qenë kundër Kosovës, tha ai. Derisa Moska është kundër shkëputjes së Kosovës, ajo mbështet separatistët në ish-republikat sovjetike të Moldavisë, Gjeorgjisë dhe Ukrainës.

Më 9 shkurt duhet të vazhdojë dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin midis Serbisë dhe Kosovës. Pjesa më e madhe e asaj për të cilën është rënë dakord deri më tani nuk është zbatuar ende – posaçërisht krijimi i një bashkësie të komunave serbe. Ky konstrukt, siç shkruan APA, do t’i ofronte komunitetit të vogël serb një lloj “autonomie” në Kosovë. Thaçi arsyeton vonesën me zgjedhjet në Serbi dhe Kosovë në vitin e kaluar.

Çfarë, sipas Thaçit nuk duhet të hapet në takimet e dialogut, është mosmarrëveshja rreth kompleksit të minierave të Trepçës, në veriun e Kosovës, kryesisht të banuar me serbë. Menaxhimi është i ndarë në mes të shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, e kjo shkakton mosmarrëveshje. Kur tash vonë, përmes një votimi parlamentar, Kosova donte të merrte përsipër kontrollin, Beogradi kërcënoi me ndërprerjen e dialogut për normalizim. Në fund, Parlamenti vendosi të zgjasë status-quon.