Bahtiri-Qeverisë: Zgjidhje të shpejtë, ose minatorët do t’i keni të shtunën në Prishtinë
Minatorët e kompleksit “Trepça” janë të vendosur të vazhdojnë grevën, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Lajme
Minatorët po kërkojnë që kompleksi Trepça të menaxhohet nga qeveria e Kosovës dhe jo nga Agjencia Kosovare për Privatizim (AKP).
Bahtiri tha se edhe pas pesë orë bisedimesh me këshillin grevist dhe menaxhmentin e Trepçës, nuk ka arritur të bindë grevistët që të ndërprenë grevën.
Minatorët kanë diskutuar me kryetarin e Mitrovicës dhe menaxhmentin e kombinatit lidhur me letrën që ka dërguar të mërkurën kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Në këtë letër, zoti Mustafa ka siguruar se Qeveria e Republikës së Kosovës, “është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe të mundshme ligjore, që statusi i Trepçës të zgjidhet një herë e përgjithmonë në interes të minatorëve dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës”.
“Por, për ta ka qenë e papranueshme ajo shkresë e cila është drejtuar nga kryeministria. Përpjekjet tona kanë qenë makismale që të pezullohet kjo grevë, por nuk arriti një pëlqim”, tha Bahtiri, duke tërhequr vërejtjen për gjendjen e përkeqësuar shëndetësore të grevistëve.
Ai bëri thirrje për zgjidhje sa më të shpejtë, pasi që “grevistët janë të vendosur që të nisen në këmbë për në Prishtinë të shtunën”.