Gjermania, rol kyç në politikat integruese të Kosovës

Shteti gjerman ka luajtur rol kyç në politikat integruese të Republikës së Kosovës. Çka do që sot mund të quajmë sukses të Kosovës apo dialogut, falënderimi më i madh duhet t’i takojë Gjermanisë.

Lajme

20/01/2015 13:45

Kështu është shprehur panelistja, deputete në Kuvendin e Kosovës, Vjosa Osmani, në një diskutim të hapur lidhur me rolin e Gjermanisë në dialogun Kosovë-Serbi, kapitullin 35 dhe integrimin e saj në BE.

Sipas Osmanit, këto merita Gjermanisë i takojnë për vet çasjen jashtëzakonisht korrekte e të paanshme midis këtyre dy shteteve.

“Çka do që ne sot mund ta quajmë sukses të Kosovës apo sukses të dialogut, falënderimi më i madh duhet t’i takojë Gjermanisë. Për shkak të qasjes jashtëzakonisht korrekte e të paanshme në raport me të dyja shtetet”.

“Në procesin e MSA-së, në aspektin politik, Gjermania ka luajtur rol jashtëzakonisht të rëndësishëm për ta përshpejtuar procesin”, ka thënë Osmani.

Vet, ambasadorja e Gjermanisë, Angelika Viets,  ka thënë se kapitulli 35 i dialogut Kosovë-Serbi, duhet t’u shërbejë të dyja shteteve dialoguese për rregullimin afatgjatë të politikave midis tyre. Dhe, natyrisht në procesin e tyre drejtë BE-së.

“Kjo pikë 35 është e rëndësishme për dialogun politik midis dy vendeve, për negociata si dhe shërben si mënyrë për ta kontrolluar procesion e dialogut, sepse e keni vetëm dialogun politik  dhe nuk ka mjete tjera për t’i treguar çështjet progresive”, tha ajo.

Kryeredaktori i gazetës Koha Ditore, duke folur për rolin e shtetit gjerman ka thënë se presioni gjerman sidomos, e ka detyruar Serbinë të merret me Kosovën në kuptimin e integrimeve evropiane të saj. Mirëpo, sipas tij, kjo nuk është garanci se do të ketë progres pozitiv në të ardhmen dhe se ky presion mund të vazhdojë.

“Pse ne sot flasim për rolin gjerman, dhe veprimet e saj në procesin të cilin po diskutojmë. Pse nuk flasim për rolin e BE-së. A është ky fakt se Gjermania në përfshirjen e saj ka treguar se BE nuk ishte e vullnetshme apo e gatshme të shkojë në këtë rrugë po të mos ishte një shtytje e madhe Gjermane”.

“Mendoj se po. Sikur mos të përfshihej zonja Merkel në shtatorin e 2011-tës dhe deri sot, ne do të kishim një rezultat shumë më të keq të dialogut se sa e kemi aktualisht”, ka thënë Bajrami.

Por, për profesorin e shkencave politike, Arben Hajrullahu, ka thënë se ballkanasit janë lodhur nga vetvetja dhe me ta janë lodhur edhe shtetet anëtare të BE-së edhe Gjermania.

“Jo vetëm Ballkanasit janë të lodhur nga vetvetja, por me ta janë të lodhur edhe shtetet e anëtarëve të BE-së e edhe Gjermania. Ka një numër të madh të lajmeve se kinse Gjermania është pro Kosovës e në mënyrë automatike nëse jo eksplicite, nënkuptohet që Gjermania qenka kundër Serbisë”.

“Këto botëkuptime janë gabim dhe s’i kontribuojnë as Kosovës as Gjermanisë as Serbisë as Unionit Evropian”, ka thënë Hajrullahu.