Thaçi takim me homologun austriak: Kurz na përkrahë për integrimin në BE

Ministri i Jashtëm Hashim Thaçi, ka pritur sot në takimin homologun e tij austriak, Sebastian Kurz. 

Lajme

20/01/2015 11:06

Thaçi ka thënë se Kurz, përkrahë Kosovën në procesin e integrimit europian, dhe do të marrë rol të përkrahjes konkrete për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës. 

“Sot pata një takim të përzemërt me Ministrin e Jashtëm austriak Sebastian Kurz. Është vizita e parë bilaterale bërë në Prishtinë për vitin 2015 dhe ishte një mundësi e mirë për një bisedë më të thellë për konsolidimin politik dhe ekonomik të Kosovës. Kurz është përkrahës i madh i integrimit të Kosovës në BE ndërsa së shpejti do të marrë edhe një rol përkrahës konkret për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës”. 

Ministri Thaçi, gjithashtu ka bërë të ditur se në takim me Kurzin kanë biseduar edhe për samitin minestral i cili do të mbahet në Prishtinë, e që do të jetë si platformë përgatitore për Samitin e Vjenës, ku do të jetë prezentë edhe Kancelarja Merkel.   

“Po ashtu, biseduam për nxitjen e investimeve të mëtutjeshme austriake në Kosovë si dhe përkrahjen e Vjenës për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë. E njoftova edhe për përgatitjet tona në kuadër të procesit të Berlinit dhe për samitin ministral të Prishtinës të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në mars. Ky takim do të jetë edhe platformë parapërgaditore për Samitin në Vjenë ku do të jetë prezente edhe Kancelarja Merkel”.