Çollaku e quan kundërshti me vet synimet e OSBE-së deklaratën e Daçiqit

Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku i është përgjigjur kërcënimeve të ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë se nuk do ta lejojë Kosovën të bëhet pjesë e OSBE-së.

Lajme

15/01/2015 20:55

Deklarata e plotë e Çollakut:

Serbia ka shpalosur programin e saj si kryesuese e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Në rrethana normale, ky do duhej të ishte një lajm pozitiv për gjithë rajonin. Fatkeqësisht, ende nuk ndodh kështu për shkak se Serbia ende nuk po arrin të mësohet me realitetin e ri, me Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.

Është për keqardhje deklarata e ministrit Daçiq se Serbia nuk do të lejojë pjesëmarrjen e Kosovës dhe anëtarësimin tonë në ketë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare. Kjo sjellje jodemokratke dhe joevropiane është në kundërshtim të plotë me vet synimet e OSBE-së, është në kundërshtim me obligimet e Serbisë që dalin nga marrëveshja e 19 prillit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nuk i shërben fare stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë në rajon.

Kjo praktikë e keqe, që është në kundërshtim me interesat strategjike për stabilitet dhe bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë, duhet të marrë fund. Kosova nuk do të mbetet peng i pengesave të vazhdueshme që vinë nga Serbia në kuadër të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.