Zbulohet laboratori gjigant i përpunimit të drogës në Elbasan

Një laborator i përpunimit të drogës është zbuluar pasditen e së mërkurës në fshatin Labinot-Fushë të Elbasanit, me ç'rast janë prangosur 10 persona.

Lajme

14/01/2015 20:25

Laboratori shërbente për prodhimin e përpunimin e lëndëve të forta narkotike. I vendosur brenda një ish-reparti ushtarak të braktisur në fshatin Labinot-Fushë të rrethit të Elbasanit, aty u sekuestrua një sasi prej 100 kilogramë lënde narkotike të dyshuar kokainë, transmeton Top Channel.

Dhjetë persona përfunduan në pranga, prej të cilëve tre të huaj, dy kolumbianë dhe një turk, të cilët ndodheshin në laborator në momentin e aksionit. Ata janë: Ermal Hoxha, banues në Tiranë, Saimir Batkum, banues në Tiranë, Gentian Gjonaj, banues në Elbasan, Arjan Dalipi, banues në Elbasan, Ilir Hyseni, Klement Dalipi, banues në Elbasan, dhe shtetasit kolumbianë Cesar Avila dhe Walser Moreno.

Operacioni i drejtuar nga policia shqiptare dhe i koordinuar nga Interpoli dhe Europoli vjen pas një hetimi disamujor, ku nga të dhënat e grumbulluara rezulton se në Shqipëri droga mbërrinte e përzierë me vaj palme nga vendet e Amerikës Latine dhe këtu bëhej ndarja e saj. Më pas droga kishte si destinacion vendet e Europës.

Në vendngjarje ka mbërritur edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë, Artan Didi, dhe prokurorë të Krimeve të Rënda, ndërkohë që operacioni është ende duke u zhvilluar në disa qytete (Elbasan, Tiranë, Durrës e Fier) për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të trafikut ndërkombëtar që çoi në zbulimin e laboratorit më të madh të përpunimit të drogës në Shqipëri.