Kadaj-Bujupi e shqetësuar me mosreagimin e Qeverisë ndaj deklaratave të Vuçiqit

Shefja e grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj- Bujupi deklaratën e kryeministri të Serbisë e ka quajtur të ngjashme me kohën kur në Serbi ekzistonte regjimi i cili ka kryer gjenocid në Kosovë.

Lajme

14/01/2015 16:26

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë  e Kosovës, Donika Kadaj- Bujupi ka thënë se deklaratat e kryeministri të Serbisë, të bëra sot, nuk dallojnë nga ato të së kaluarës, kur në Serbi ka mbretëruar një regjim i cili në Kosovë dhe në ish-vendet e Jugosllavisë ka kryer gjenocid.

Kadaj- Bujupi  përmes një postimi në Facebook, po ashtu ka kritikuar edhe Qeverinë e Kosovës për mos reagim .

Ja postimi i plotë i Kadaj- Bujupit:

Deklaratat sotme të zyrtarëve nga Serbia nuk ndryshojnë nga ato të së kaluarës, në fakt korrespondojnë me periudhat më të errëta të së kaluarës së Serbisë, atëherë kur në Serbi ka mbretëruar një regjim, i cili në Kosovë dhe ish vendet e Jugosllavisë ka kryer gjenocid.

Fatkeqësisht, mendësia e njëjtë po vazhdon edhe tani, me deklaratat e kryeministrit serb Vuçiç, i cili deklarativisht po pretendon që Serbia ka ndërruar dhe është në rrugë evropiane, por i cili në fakt me veprimet e veta dëshmon që nuk ka ndryshuar aspak nga paraardhësit e tij politik, në sjelljet dhe qëndrimet në raport me Kosovën.

Ne jemi shumë të shqetësuar me mos reagimin e Qeverisë së Kosovës, e cila duhet t’u jap përgjigje qytetarëve të Kosovës nëse Vuçiçi ka pasur leje për të hyrë në Kosovë?

Nese po!

Atëhere të rishqyrtohet çdo veprim i mëtutjeshëm në kërkesat e radhës, për vizitat e zyrtarëve të Serbisë dhe të mos lejohet që në vazhdimësi këta njerëz të vijnë në Kosovë, të fyejnë dhe të provokojnë popullin e saj, ndërkohë që janë të pajisur me leje nga Qeveria e Kosovës, të cilen po këta zyrtarë serb nuk e njohin.

Pra duhet të ndërmerren veprime të menjëhershme nga Institucionet zyrtare të Republikës së Kosovës, në mënyrë që lejet të cilat eventualisht janë lëshuar ashtu siç kemi dëgjuar nga zyrtarët e Qeverisë, Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, të rishqyrtohen dhe në raste të tjera në të ardhmen të mos lejohen vizitat të cilat në vazhdimësi po përcillen me fyerje të Beogradit në raport me Kosovën.