Mustafa komenton deklaratën e Jabllanoviqit për gjakovarët (video)

Kryeministri Isa Mustafa, ka thënë se njerëzit që mbajnë poste publike nuk guxojnë të ofendojnë qytetarët, pa marrë parasysh nëse veprimet e tyre janë të drejta ose jo. Mustafa ka thënë se Jballanoviq ka bërë mirë që është tërheq  nga deklarata e tij.

Lajme

09/01/2015 16:47

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se ministri për Kthim dhe Komunitete, Aleksandër Jabllanoviq, ka bërë mirë që është tërhequr nga deklarata e tij, dhënë ditë më parë për qytetarët e Gjakovës, të cilët e kishin penguar një autobus me pelegrinë nga Serbia që ta vizitonin Kishën Ortodokse serbe në këtë qytet.

Ministri Jabllanoviq, që vije nga radhët e Listës Serbe, kishte thënë se qytetarët të cilët kanë penguar vizitën e pelegrinëve serb, me rastin e festës së Krishtlindje Ortodokse, janë fundërrina dhe njerëz të egër.

Por sot, ai ka thënë se nuk ka pasur informata se çfarë ka ndodhur në Gjakovë dhe ka kërkuar falje për deklaratën e tij.

E për këtë, shefi i tij në Qeverinë e Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se Jabllanoviq ka bërë mirë që është tërhequr nga kjo deklaratë.

Mustafa ka thënë se gjëra të tilla nuk duhet të ndodhin sidomos, nga njerëzit që mbajnë poste publike.

“Unë dëgjova sot një reagim të tij, ku kishte thënë se ai në një formë është tërhequr nga ajo dekoratë sepse nuk pasur informata të mjaftueshme dhe se ka menduar atë që e ka thënë”.

“Më vjen mirë që vetë është tërheq, sepse nuk guxojnë të quhen njerëzit të egër, njerëzit të cilët e shprehin mendimin e tyre, pa marrë parasysh a janë veprimet e tyre të drejta apo jo”.

“Unë mendoj se gjërat e tilla nuk duhet të ndodhin veçmas nga ata që janë përgjegjës të pozitave publike dhe do të kujdesimi që në maksimum të përmbahemi nga kjo”, ka thënë gjatë ditës së premte Mustafa.