Ku shkuan paratë e ndara nga MSh për shërim jashtë vendit personave të vdekur?!
Mjekët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), të cilët i kishin referuar “pacientët” e vdekur për fondin për trajtim jashtë vendit përmes Ministrisë së Shëndetësisë, kanë kërkuar të holla nga MSh-ja për spitalet private në Kosovë.

Lajme
Spitali turk i zemrës “Internatcional Hospital Medicine” “kishte trajtuar” dy pacientë, të cilët kishin vdekur muaj me parë. Pas vdekjes se tyre, Klinika e Kardiologjisë për të dyja rastet kishte lëshuar fletëreferencë se këta pacientë i plotësonin kriteret për trajtim jashtë vendit.
“Koha Ditore” para një muaji kishte raportuar se mjekët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) i kishin referuar “pacientët” e vdekur për trajtim jashtë vendit përmes Ministrisë se Shëndetësisë. Inspektorati shëndetësor i MSh-së i ka vërtetuar këto dyshime. Megjithatë, nuk ka marrë ndonjë masë ndaj Kliniks së Kardiologjisë. Masat eventuale i a ka lënë në dorë Bordit etiko-profesional në MSh.
Ndonëse kjo ministri gjatë tërë vitit është ankuar se fondi prej 3 milionë eurosh për shërim jashtë vendit është shumë i vogël, në mesin e përfituesve nga fondi janë edhe qytetarët të cilët kanë vdekur muaj më parë. Ndërkohë, shumë qytetarë kosovarë kanë humbur betejat me sëmundjen për shkak të mungesës së fondit. As MSh-ja e as QKUK-ja nuk kanë dhënë informata se çka është bërë me parat për të cilat ka dyshime që janë ndarë për personat e vdekur.
Spitali IMH është subjekt hetimi i Prokurorisë Speciale për aferën “stenta”. Drejtori dhe disa punëtorë të këtij spitali, si dhe disa mjekë të Kardiologjisë së QKUK-së, janë të dyshuar për këtë aferë.
Dyshime se ekziston mundësia që paratë e fondit për trajtim jashtë vendit të MSh-së janë keqpërdorur ose kanë përfunduar në xhirollogari të spitaleve private për qytetarët e vdekur kosovarë, i kanë vendosur dy institucionet kryesore publike shëndetësore të Kosovës që të marrin anë të ndryshme.
Ndonëse QKUK-ja është nën menaxhimin e MSh-së, ky institucion thotë se “ligjërisht mund t’i referojnë pacientët pa i parë fizikisht”, por nuk i kanë komentuar rastet për të cilat ka filluar inspektimi, shkruan gazeta Koha Ditore.