Veteranët e kërcënojnë me demonstrata Agim Çekun

Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka dy vjet që ka nisur punën por deri më tani nuk ka dhënë ndonjë rezultat.

Lajme

22/12/2014 23:10

Rezultate përfundimtare po kërkon t’i dijë Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, i cili përmes një shkrimi në Facebook kritikon kryetarin e këtij komisioni, Agim Çeku, i cili, sipas tij, nuk po e përmbyll këtë proces as pas dy vjetëve.

Qeriqi shkruan se ka marrë vesh se linja buxhetore për veteranët e UÇK-së është përfshirë edhe në projektbuxhetin e vitit 2015 dhe ku parashihet që veteranët e papunë të gëzojnë një lloj pensioni prej janarit të vitit që vjen.

Por, Qeriqi thotë se vonesat në komisionin që e udhëheq Agim Çeku do t’i dëmtojë edhe më shumë veteranët e luftës.

“Do tu kisha drejtuar edhe njëherë ish ministrit dhe kryetarit të komisionit Agim Çekut se si e ndien vetën në këtë moment kur për mospunën e tij në komision veteranet nuk do të mund ti gëzojnë të drejtat e tyre ligjore sepse ende listat nuk janë përfundimtare”, ka shkruar Qeriqi.

Ai kërkon llogari nga Çeku dhe paralajmëron se një gjë të tillë do ta kërkojnë edhe përmes demonstratave apo edhe organizimeve tjera.

“A e din Çeku se në çfarë gjendje jetojnë veteranet e UÇK – së. A i kujtohen ndonjëherë kolegët e luftës se me sa po e shoh i ka harruar por le ta ketë të çartë se ne nuk harrojmë dhe ne sot e kërkojmë nga ai llogari se pse e ka zvarritur këtë proces qoftë përmes demonstratave apo edhe organizimeve të tjera”, ka shkruar Qeriqi, transmeton Kosovapress.