Sërish telashe në veri: Shqiptarët pengohen në ndërtimin e shtëpive

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, të hënën është takuar sërish me përfaqësuesit e lagjes veriore “Kroi i Vitakut”, të cilët e kanë njoftuar për pengesat që janë shfaqur prapë rreth ndërtimit të shtëpive të tyre, përkatësisht për urdhëresën e inspeksionit të Komunës në veri të Mitrovicës që punët të ndërpriten.

Lajme

22/12/2014 19:05

Banori i kësaj lagje, Nazmi Ismjali, i cili është përfitues nga fondi “Ndihmo edhe ti” për ndërtimin e shtëpisë, i tha kryetarit Bahtiri se gjatë ditës së hënë inspektorët serbë të Komunës në veri të Mitrovicës dy herë kanë qenë në vendin ku kishte filluar rindërtimi dhe kanë kërkuar ndërprerjen e punimeve.

“Së pari, afër vendit ku po punonim erdhi një veturë me targa “KM”, në të cilën shkruante “Inspekcija” në cilirlicë, ku ishin inspektorë të Komunës paralele serbe. Ata i ftuan inspektorët e Komunës së re, të formuar nga institucionet e Republikës së Kosovës, të cilët pa vonuar erdhën dhe kërkuan ndërprerjen e punimeve, duke më dhënë një kërkesë me shkrim, por pa vulë. Meqë ne nuk e përfillëm kërkesën e tyre, më pastaj erdhën sërish inspektorët dhe Policia e Kosovës, të cilët na urdhëruan të ndërpresim punimet”, tha ai.

Sipas tij, policia i kishte thënë se duhet të shkoj në Komunë te kryetari Rakiq dhe të bisedojë me të, por ai nuk kishte qenë fare në zyrë kur kishte arritur atje. Ismajli tha se ishte takuar me Adriana Hoxhiqin, e cila i kishte thënë se ajo nuk është në dijeni për këtë veprim të inspeksionit.

Agim Bahtiri u ka thënë banorëve shqiptarë të “Kroit të Vitakut”, të cilët po pengohen në ndërtimin e shtëpive të tyre, të shkatërruara gjatë dhe para luftës nga ekstremistët serbë, se nuk duhet të bien pre e provokimeve dhe veprimeve të njerëzve që kanë për qëllim tensionimin e gjendjes, e cila ishte relaksuar dukshëm kohëve të fundit.

“Kjo që sërish po ndodh në lagjet veriore të qytetit, ku shqiptarët po pengohen të rindërtojnë shtëpitë e tyre, aty ku kanë qenë për dekada të tëra dhe të kthehen për të jetuar në to, është shkelje e rëndë e të drejtave dhe lirive të njeriut. Askush nuk ka të drejtë të veprojë në kundërshtim me ligjet dhe konventat ndërkombëtare. Shqiptarët kanë të drejtë të kthehen në pronat e tyre, prej nga janë përndjekur me dhunë, dhe të ndërtojnë shtëpitë që u janë shkatërruar nga ekstremistët dhe ata sigurisht se do të kthehen patjetër”, ka thënë Bahtiri.

Lidhur me pengesat e pakuptimta dhe johumane që po iu bëhen shqiptarëve në “Kroin e Vitakut”, Bahtiri ka biseduar me telefon edhe me kryetarin e Komunës në veri të Mitrovicës, Nenad Rakiq, nga i cili ka kërkuar që të lejojë punët për ndërtimin e shtëpive të filluara.

“Ju zoti Rakiq duhet të punoni drejt dhe sipas ligjit. Të gjithë qytetarët duhet t’i trajtoni njëjtë dhe nuk do të duhej të bëni dallime, por fatkeqësisht ju po veproni kështu. Përderisa serbët kanë shkelur kaherë marrëveshjen për shtyrjen e ndërtimeve deri në një kohë tjetër, duke ndërtuar dhjetëra shtëpi për serbët nga Kroacia e gjetiu, madje edhe ndërtesa shumëkatëshe, ju zoti Rakiq nuk keni ndërmarrë asgjë për t’i ndërpre ato punime, kurse sot po veproni ndryshe dhe po kërkoni ndërprerjen e punëve nga ana e shqiptarëve, gjë që është e papranueshme dhe johumane”, i ka thënë Goran Rakiqit kryetari Bahtiri, njofton zyra për informim e Komunës së Mitrovicës.

Kryetari Bahtiri ju ka bërë apel shqiptarëve të “Kroit të Vitakut” që të ruajnë gjakftohtësinë dhe qetësinë, me qëllim që ata të mos jenë shkaktarë të ngritjes së tensioneve, pasi që është i bindur se çdo gjë do të zgjidhet në mënyrë paqësore e me dialog dhe se shtëpitë e tyre do të ndërtohen aty ku kanë qenë. Ai i ka garantuar Goran Rakiqit se të gjithë serbët që jetojnë atje dhe që i kanë pronat e tyre në pjesën jugore të qytetit, mund të kthehen lirisht në to dhe se nuk do të kenë as më të voglin problem.

Në orët e pasdites Bahtiri ka biseduar me telefon me përfaqësues të disa ambasadave në Prishtinë, të cilët i ka njoftuar me problemet e shfaqura në veri dhe ka shprehur brengën e tij dhe të qytetarëve shqiptarë që nuk po lejohen t’i ndërtojnë shtëpitë e tyre. Përfaqësuesit e ambasadave kanë kërkuar nga kryetari Bahtiri që të ndikojë tek shqiptarët e “Kroit të Vitakut” që të kenë durim e maturi, në mënyrë që gjendja të mos përkeqësohet.