Importojmë gjithçka, edhe ujët e komshinjve na duket më i shijshëm

Produktet ushqimore, duke filluar nga pemët, perimet dhe ato të konservuara janë produktet që bëjnë pjesë në kategorinë e mallrave më të importuara në Kosovë. Këto mallra kryesisht importohen nga vendet e rajonit dhe Bashkimit Evropian.

Lajme

21/12/2014 15:17

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, se produktet më të importuara në Kosovë për sa i përket vlerës monetare mbeten nafta dhe duhani, pasuar menjëherë nga produktet ushqimore.

“Dominon nafta, por ka edhe produkte ushqimore që importohen, duke filluar nga pemët e perimet e deri te produktet e konservuara.

Kjo gjendje, sipas përfaqësuesve të bizneseve është për faktin se prodhimet vendore nuk kanë arritur të fitojnë besimin e konsumatorit dhe se qytetarët janë mësuar që të konsumojnë produkte që nuk janë të Kosovës.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini i ka thënë Radios Evropa e Lirë se importin e lartë të këtyre produkteve e ka shkaktuar mentaliteti konsumues i qytetarëve të Kosovës.

“Kosova posedon më shumë se 20 fabrika të ujit dhe ne importojmë ujë  nga Italia, Sllovenia, Greqia, Turqia e nga vende tjera. Kjo jo pse të huajt kanë ujë më të mirë, por ato kompani të huaja kanë një traditë më të gjatë dhe i përkushtohen tregjeve të reja, ndërsa prodhuesit vendorë ende nuk kanë një traditë të gjatë të treg dhe shpesh bien pre e konkurrencës së padrejtë në treg”, vlerëson Shahini.

Deficiti i lartë tregtar është një problem që e ka përcjellë Kosovën ndër vite. Sipas të dhënave zyrtare, kontributi i eksporteve në vëllimin tregtar është shumë i ulët dhe atë rreth 200 milionë euro në vit, kurse importi kalon shifrën e mbi 1 miliard euro.

Eksporti i mallrave vetëm në muajin tetor të këtij viti, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, arriti vlerën 29.6 milionë euro, ndërsa importi 234.9 milionë euro.

Eksporti mbulon importin vetëm me 12.6 për qind.

Kjo situatë, sipas Shahinit, do të vazhdojë nëse nuk merren masa konkrete për përmirësimin e politikave fiskale.

“Bizneset vendore ende nuk po munden t’i plotësojnë në të gjithë sektorët kërkesat me prodhim vendor, dhe produktet vendore po dalin në disa raste më të shtrenjta sesa produktet e importuara. Kjo është për shkak se politikat fiskale , financiare dhe tregtare janë gati të njëjta si për prodhuesit vendorë ashtu edhe për ato nga importi”, shton ai.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se produktet minerale prijnë në listën e produkteve më të importuara, pasuar nga ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike.

Përqindja më e madhe e importit është nga Serbia, Italia, Gjermania, Turqia , Kina Shqipëria dhe Maqedonia.