Universiteti i Gjilanit nënshkruan marrëveshje me Universitetin e Rjekës

Në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimit ndërkombëtar, Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan ka nënshkruar marrëveshje me Universitetin e Rjekës së Kroacisë. Marrëveshja u nënshkrua në Rjekë, nga rektorët: Arben Dërmaku dhe Pero Luqin, ku ishte e pranishme edhe Ambasadorja e Kosovës në Kroaci, Shkëndije Geci-Sherifi, e cila ka ndihmuar në vendosjen e këtij bashkëpunimi.

Lajme

21/12/2014 14:52

Rektori i Universitetit “Kadri Zeka”, Arben Dërmaku tha se bashkëpunimi do të shtrihet në fushat e programeve arsimore dhe shkencore, siç është shkëmbimi i informacioneve dhe përvojave në kërkime shkencore, gjë që për Universitetin “Kadri Zeka” është shumë e rëndësishme.

Kjo është marrëveshja e gjashtë e bashkëpunimet që Universiteti i Gjilanit ka nënshkruar deri më tash me universitete jashtë Kosovës, përkatësisht me Asociacionin e 20 universiteteve dhe kolegjeve universitare “Great Lakes Colleges Association”, në Michigan të SHBA-ve, me dy universitete të Turqisë ( Trakya dhe Nigde), me dy Universitete të Shqipërisë (“Eqrem Çabej” të Gjirokastrës dhe “Fan Noli” të Korçës).

Po ashtu, UKZ ka marrëveshje bashkëpunimi edhe me Universitetin “Haxhi Zeka” të Pejës, si dhe me Agjencinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ).

Universiteti “Kadri Zeka” është institucioni i parë në Kosovë që merr pjesë si partner i plotë në projektin e Bashkimit Evropian “Erasmus Mundus GREEN TECH WB”, raporton Rajonipress.