Premierliga, më e mirë se La Liga dhe Serie A

Sulmuesi i Arsenalit, Alexis Sanchez, thotë se Premierliga është më e vështirë dhe më sfiduese se La Liga dhe Serie A.

Sport

13/11/2014 10:09

Alexis Sanchez ka thënë se Premierliga është më e vështirë dhe më sfiduese se La Liga dhe Serie A. Ylli kilian e krijoi epitetin e yllit me paraqitje të mira në Itali me Udinesen dhe ia siguroi vetes transferimin në Barcelonë më 2011.

Sanchez iu bashkua Arsenalit gjatë verës në transferim me vlerë prej 40 milionë euro dhe ka shkëlqyer në Angli duke realizuar 11 gola në të gjitha garat.

25-vjeçari insiston se adaptimi është i vështirë për shkak të intensitetit në çdo ndeshje. “Futbolli këtu është shumë i vështirë, shumë i vështirë”, deklaroi Sanchez për “AS”.

“Ka qenë e vështirë të adaptohem. Nga të gjitha ligat ku kam luajtur, kjo është më e vështira. Jam duke u kënaqur me sfidën por nuk është e lehtë. Edhe ekipet e fundit të tabelës mund t’i komplikojnë gjërat për ata në krye. Çdo ndeshje vendoset nga detaje të vogla dhe kjo më pëlqen shumë, të mban në paralajmërim”, u shpreh ai.