Përjashtohet nga puna gruaja e kryetarit të PDK-së në Lipjan

Bashkëshortja e kryetarit të PDK-së në Lipjan, Lulzim Rrustemi, është përjashtuar për motive politike nga shkolla ku punonte si profesoreshë, pas më shumë se një viti nga ndërrimi i pushteti lokal, që tash drejtohet nga LDK-ja.

Lajme

03/11/2014 20:33

Rrustemit i ka mbetur hatri te qeveria e re komunale, raporton KlanKosova.

“Është bërë për qëllime politike, kanë pasur për obligim t’i rehatojnë njerëzit e vetë dhe t’i godasin njerëzit që nuk kanë bindje të njëjta politike”, tha ai.

sipas tij, “shumicën e militantëve të tyre i kanë të punësuar, i kanë punësuar pa kritere, pa konkurs dhe jashtë rregullave ligjore”.

Megjithatë, kryetari i PDK-së në Lipjan pranon se edhe ky e punësoi gruan e tij pa kurrfarë konkursi para dy vjetësh.

Drejtori i Arsimit në Lipjan, Rasim Hasani thotë se një vendim të tillë e mori me rekomandim të Inspektoratit në regjionin e Ferizajt.

Hasani thotë të ketë gjetur edhe shumë parregullsi të tjera në shkollën ku punoi gruaja e Lulzim Rrustemit.

“Asnjëherë të vetme nuk ka pasur konkurs në atë shkollë”, tha ai.

Hasani dokumenton se ka gjetur edhe familjarë të tjerë të ish-zyrtarëve të cilët kanë punuar si punëtorë teknikë në shkolla fillore e të mesme, por janë paguar si mësimdhënës.

LDK e rimori pushtetin në Lipjan në zgjedhjet e fundit lokale, derisa Imri Ahmeti e mposhti Shukri Bujën.