Beqiri pranon rishikimin e marrëveshjes së Bllokut
Ismet Beqiri thotë se blloku LDK-AAK-Nisma dhe VV do të shqyrtojë ridizajnimin e marrëveshjes së arritur një dit pas zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit.
Lajme
Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se realiteti që ka krijuar Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj, po e imponon që partnerët e koalicionit të ulën për të gjetur zgjidhjen më të mirë.
Beqiri thotë se diskutimet e reja që do t’i bëj blloku pas zgjedhor do të kenë si synim ruajtjen e koalicionit të krijuar dhe gjetjen e zgjidhjes për tejkalimin e bllokadës për formimin e institucioneve.
“Për ne është shumë e rëndësishme që ta ruajmë koalicionin pas zgjedhor. Ta ruajmë marrëveshjen mes nesh dhe sigurisht që ne do të ulemi dhe të shohim se çka më tutje. Janë liderët tanë, të subjekteve politike, që vendosin se çfarë do të bëjmë më tej, se cilat janë hapat që duhet t’i ndërmarrim në mënyrë që ne të realizojmë synimin tonë”, ka deklaruar Beqiri.
Rishikimi eventual i marrëveshjes, mund të prek sidomos ndarjen e posteve ndërmjet liderit të LDK-së, Isa Mustafa dhe liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i kandiduari i bllokut për postin e kryeministrit.
Por, për këtë çështje, Ismet Beqiri thotë se tash për tash një gjë e tillë nuk mund të paragjykohet, pasi që bëhet fjalë për bisedime që do të iniciohen.
“Pa dyshim që nuk e them se kemi heq dorë, ka qenë që ta zgjedhim edhe kryetarin e Kuvendit, por mbi të gjitha ta ndërrojmë këtë qeverisje të keqe, të bëjmë ndryshime dhe ta formojmë qeverinë për çka i kemi edhe numrat edhe vullnetin. Besoj që për këtë synim do të gjejmë rrugëzgjidhje”, ka thënë Beqiri për Radion Evropa e Lirë.