Bahtiri premton fabrikën e parë në Mitrovicë brenda 18 muajve
Në mënyrë unanime, 35 asamblistë të Kuvendit Komunal të Mitrovicës të enjten kanë dhënë sinjalin e gjelbër për investimin e parë ën Zonën e Lirë Ekonomike, ku do të ndërtohet një kapacitet për riciklimin e mbeturinave dhe njëkohësisht prodhimin e energjisë elektrike nga ato mbeturina
Lajme
Ky investim do të jetë i konsorciumit amerikan-suedez “Green 3 Power Active Plus Mitrovica” L.L.C, kurse për këtë qëllim Asambleja komunale i ka ndarë 10 hektarë tokë, për 99 vjet shfrytëzim në Zonën e lirë ekonomike pa asnjë kompensim financiar, raporton Indeksonline.
Duke arsyetuar kërkesën e konsorciumit dhe projektin, kryetari i Komunës së Mitrovicë së Jugut, Agim Bahtiri ka theksuar se kjo kompani amerikane-suedeze do të investojë 43 milionë euro në kapacitetin për riciklimin e mbeturinave dhe prodhimin e 12 megavatëve të energjisë elektrike.
Sipas Bahtirit, kompania e huaj ka paraqitur të gjitha dokumentacionet e nevojshme, duke ofruar teknologjinë më të avancuar, e cila nuk do ta ndotë ambientin. Parashihet që të gjithë kamionët që hyjnë brenda objektit me mbeturina nga aty do të dalin të pastruar dhe të dezinfektuar.
Bahtiri këtë e ka quajtur vetëm një nismë e mbarë, pasi ai premton se në Zonën e lirë do të vendosen rreth 380 kompani tjera.
Në fabrikën për riciklimin e mbeturinave në fazën e parë parashihen të punësohen 160 punëtorë. Ndërtimi do të fillojë menjëherë pas nënshkrimit të kontratës (më 14 nëntor), kurse afati i përfundimit të punimeve është 18 muaj nga dita e fillimit të ndërtimit.
Projektin në fjalë e ka përkrahur edhe opozita, e cila ka kërkuar që të respektohen të gjitha ligjet e aplikueshme në Kosovë. Vërejtje në cilësinë e projektit kishte nga shefi i grupit të këshilltarëve të VV-së, Farku Mujka, i cili ka shprehur shqetësimin e tij për ndotjen nga djegia e mbeturinave, sikundër edhe mos lidhja e kësaj kompanie në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit të qytetit. (Indeksonline)