Sfarqa kërkon ridizajnim të marrëveshjes, kryeministri t’i takojë LDK-së
Zyrtari i lartë i LDK-së, njëherësh kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa, thotë se Kosova ka hyrë në fazën përfundimtare të zgjidhjes së ngërçit politik.
Lajme
Në një intervistë dhënë për Botapress, Sfarqa ka thënë se kriza politike është duke shkuar drejt fazës përfundimtare.
“Gjërat po lëvizin, por jo ndoshta me shpejtësinë e dëshiruar, por fakti që po hyjmë në ‘orbitën’ e konsultimeve intensive, jo vetëm brenda Bllokut por, edhe me faktorët relevantë të brendshëm e ndërkombëtarë (si faktorë stabiliteti), tregon që po hyjmë në fazën përfundimtare të zgjidhjes së problemit si detyrë dhe përgjegjësi politike dhe shtetërore”.
Sipas Sfarqës, rikonfigurimi i marrëveshjes në mes të LDK-së, AAK-së dhe Nismas është i pashmangshëm.
Ai thotë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, përmes të cilit PDK ka të drejtë eksluzive për të propozuar kryeparlamentarin, LDK-ja si forca më e madhe politike brenda Bllokut, duhet tashmë të marr postin e Kryeministrit.
“Në këtë drejtim, i bie që rikonfigurimi i brendshëm i figurave kyqe të Bllokut, po shfaqet si i pashmangshëm”.
“Meqenëse Gjykata Kushtetuese e ka bërë të pamundur realizimin e pjesës së marrëveshjes që ka të bëjë me zgjedhjen e kryeparlamentarit, atëherë LDK-ja, si forca kryesore politike e Bllokut, nuk mund të mbetet pa asnjë pozitë të rëndësishme në Institucionet e vendit. Këtë, madje nuk ia lejon as forca e saj politike që mund të matet qoftë me vota në zgjedhjet nacionale, qoftë me numrin e deputetëve në Kuvend”.
“Prandaj është e moralshme dhe imperativ politik që të rikonfigurohet Marrëveshja e Bllokut, duke e marr LDK-ja pozitën e kryeministrit, diçka që i ka munguar Kosovës në historinë e pasluftës, madje edhe atëherë, kur kjo parti i ka fituar zgjedhjet me shumicë absolute, por edhe atëherë, kur njërit nga pretendentit të Bllokut për kryeministër, Ramush Haradinajt, iu dha funksioni i kryeministrit të vendit, në të mirë të shtetit, siç do të duhej të ndodhë edhe tash, por në pozita të ndryshme, kur këtij lideri partiak i takon që ta bëjë këtë sakrificë për shtetin e Kosovës dhe për kthimin e borxhit ndaj LDK-së. Ai dhe të gjithë faktorët e tjerë të Bllokut do të jenë pjesë rrjedhëse e të gjitha zhvillimeve pozitivie të cilat do të mund t’i bëjnë vetëm së bashku dhe asesi të ndarë”.
“Me këtë akt, ai do të mbetet një shembull – model i një politikani të përgjegjshëm me përmasa të mëdha”, tha për Botapress, Muharrem Sfarqa.