Qindra të mbytur në Kashmir (Foto&Video)

Ekipet e shpëtimit po luftojnë për të tërhequr qindra mijëra njerëz të bllokuar nga përmbytjet e mëdha që kanë përfshirë Pakistanin dhe rajonin e Kashmirit të administruar nga India, ku zyrtarisht janë raportuar 320 veta të mbytur.

Bota

08/09/2014 16:33

Në Kashmir, në rajonin e administruar nga India, sidomos në kryeqytetin Srinagar, dhjetëra mijëra banorë po qëndrojnë në kulmet e shtëpive të tyre të përmbytura, në pritje të ekipeve të shpëtimit.  

Rreshjet e shiut që nuk janë ndalur prej gjashtë ditësh kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale, pasi ujërat e lumenjve që kanë dalë nga shtrati po vazhdojnë të përmbysin vendbanimet, sidomos në provincën Punjab.

Deri tani ushtria indiane dhe ajo pakistaneze kanë evakuuar të paktën 10 mijë banorë, ndërkohë që dy kryeministrat, ai pakistanez dhe ai indian, kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar njëri tjetrin në tejkalimin e situatës së rëndë që ka kapluar Kashmirin.

Sipas BBC, situatë e rëndë është edhe në rajonin e Pakistanit, ku janë përmbytur të paktën 500 fshatra, ndërsa makinat dhe bagëtitë i ka marrë uji.

India dhe Pakistani kanë zhvilluar tri luftëra me njëra tjetrën për shkak të pretendimeve që kanë të dyja palët për Kashmirin, por katastrofa natyrore që e ka kapluar këtë rajon, i ka bashkuar këto dy shtete në tejkalimin e situatës.