2015-a mund ta zë Kosovën pa institucione legjitime
Situata politike mund ta shtyjë vendin edhe në një palë zgjedhje. E, shkuarja në zgjedhje të reja do ta linte shtetin edhe një kohë pa institucione.

Lajme
Marrë parasysh që jemi pa institucione prej majit të këtij viti, zgjedhjet e reja do të bënin që prej 12 muajve të 2014, vetëm në pesë prej tyre Kosova të qeveriset me institucione legjitime.
Shkuarjen në zgjedhje analistët nuk e shohin si opsion të pamundur, ndonëse vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese ende nuk ka dalë.
Driton Selmanaj nga KDI, tha pë Rrokum TV se nëse Kushtetuesja ne vendimin e saj nuk lë mundësi të dytë për mandatarin për kryekuvendar, atëherë vendi do të hyjë në një situatë me paqartësi të shumta juridike.
Krejt kjo pasi që Kushtetuta e vendit nuk e përcakton situatën se si të veprohet në rast se i nominuari për kryetar Kuvendi nuk merr votat e duhura.
Po ashtu, Kushtetuta në asnjë vend nuk përmend as shkuarjen në zgjedhje, për shkak të mos zgjedhjes së kryekuvendarit.
Selmanaj thotë se shkuarja në zgjedhje nuk është zgjidhje.
“Ajo që po shihet aktualisht edhe mbas një njoftimi për vendimin e Gjykatës, është që ka një tendencë ose një mundësi që zvarritja e krijimit të institucioneve do të vazhdojë edhe më tutje.
Drejtori ekzekutiv i Lëvizjes Fol, Petrit Zogaj vlerëson se më shumë ka bllokadë politike për shkaqe të inateve dhe interesave personale.
“Nëse vazhdojmë me këtë trend ose eventualisht pretendohet të shkohet në zgjedhje të tjera, atëherë mund të na gjejë viti i ri neve pa institucione fare. Nisur nga fakti i obligimeve që ka ky vend, qoftë në raport me integrimet evropiane, qoftë në raport me liberalizimin e vizave, qoftë në raport me gjendjen sociale në rënie, qoftë në raport me krijimin e Gjykatës Speciale, e cila tanimë është çështje e kryer, pra të gjitha këto mendoj që nuk na lejojnë neve komoditetin dhe as klasën tonë politike që ne për shkak të interesave krejtësisht të ngushta, të mos themi personale, ta dëmtojmë vendin tonë”, ka thënë Zogaj.
Sipas Zogat, mbajtja e një palë zgjedhjeve të reja këtë vit do të dëshmonte papërgjegjësinë e liderëve politikë në vend.