Ronaldo s’ka probleme
Cristiano Ronaldo nuk ka probleme me lëndime. Trajneri Carlo Ancelotti ka siguruar për këtë, duke njoftuar se ylli portugez do të jetë i gatshëm për ndeshjen e sontme ndaj Cordobas.
Sport
Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti insiston se Cristiano Ronaldo nuk ka ndonjë problem me lëndime, por e pranon se ylli portugez ka nevojë ende për punë, për ta arritur formën fizike optimale.
Përfaqësuesi portugez pati probleme me lëndime në fund të sezonit të kaluar, të cilat e përshkuan edhe në Botëror, ku nuk mundi ta jepte më të mirën.
Gjithashtu, edhe në fazën përgatitore e munduan dhimbjet, por trajneri italian ka bërë të ditur se Ronaldo është i aftë për lojë.
“Ronaldo ka ushtruar mirë dhe është i gatshëm për ndeshjen ndaj Cordobas. Ai nuk ka probleme”, konfirmon Ancelotti.
“Faza përgatitore për të nuk ka qenë e rregullt, sepse kishte nevojë për punë individuale, për t’i zgjidhur problemet. Sezonin e kaluar, ai kishte probleme me gju dhe kishte nevojë për ushtrime individuale”, shton trajneri i Los Blancos.
“Ne do të ushtrojmë me të shumë javën e ardhshme, për t’ia përmirësuar gjendjen fizike. Do të jetë mirë për të”, përfundoi Ancelotti.
29 vjeçari i kishte realizuar 31 gola nga 30 ndeshje të zhvilluara sezonin e kaluar në kampionatin spanjoll.