Aktakuzë penale ndaj ish-gjyqtarit Kolë Puka dhe babait të tij
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Kolë dhe Zef Puka.
Lajme
Kolë Puka dyshohet se është marrë me aktivitet kriminal nga viti 2002-2009, duke keqpërdorur pozitën e gjyqtarit në Gjykatën Komunale në Klinë, në atë mënyrë që gjatë aktivitetit kriminal ka përfituar mjete financiare në shuma milionëshe, duke kryer veprat penale: “Shpëlarje e parave” nga neni 32, paragrafi 2, pika 2.1, 2.2, 2.5 e 2.6 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimit të Terrorizmit, lidhur me veprën penale “Shpërdorimi i Pozitës Zyrtar ose i Autorizimit”, nga neni 339, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 të Kodit Penal të Kosovës.
Ndërkaq, i pandehuri Zef Puka dyshohet se e ka ndihmuar të Kolën për t’i fshehur pasuritë e fituara në mënyrë të kundërligjshme, duke kryer veprën penale: “Shpëlarja e parasë”, nga neni 32, paragrafi 2, pika 2.1, 2.2, 2.5 e 2.6 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimit të Terrorizmit.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës i ka propozuar Gjykatës që të konfiskojë pasuritë dhe mjetet financiare të fituara nga shitja e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme.
Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.