Gani Geci kishte vizë Schengen

Gani Geci mund të jetë dalë nga territori i Kosovës, por se nuk dihet se ku, thotë një familjar i tij. 

Lajme

05/08/2014 16:10

Familjarët e Gani Gecit nuk përjashtojnë mundësinë që ai të ketë ikur edhe diku në shtetet e BE-së, pasi që njoftojnë se i njëjti ka pasur vizë Schengen valide.

“Ai ka pasur vizë Schengen dhe me gjasë është jashtë Kosovës. Nuk e dimë se ku është”, ka thënë për Express një familjar i Gani Gecit.

Ai garanton që Geci do të kthehet për t’u përballur me drejtësinë, se i beson edhe drejtësisë kosovare e, edhe asaj ndërkombëtare, por ka një arsye pse nuk po kthehet akoma.

“Po presim deri sa të qetësohen gjakrat, pasi që me gjithës Ganiu i beson drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare, tash për tash vlerësojmë se nuk ka siguri në burgjet në Kosovë”, ka thënë për Express ky familjar.

Zëdhënësi i Misionit të EULEX, Miguel Carvalho de Faria ka deklaruar për Express se aktualisht ky mision nuk po merret me rastin e vrasjes së Ruzhdi Shaqirit nga ish –deputeti Gani Geci.

“Aktualisht kjo çështje është nën drejtimin e Policisë së Kosovës dhe pyetjet që kanë të bëjnë me këtë duhet t’u bëhen atyre” ka thënë Carvalho De Faria për Gazetën.