VV i mëshon vijë PDK-së, por jo edhe Listës Srpska
Partitë e Bllokut dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë pasur asnjë takim që prej seancës konstituive të Kuvendit më 17 korrik.
Lajme
Kështu ka thënë Visar Ymeri nga Vetëvendosje në një intervistë për Rrokum. Sipas tij, Vetëvendosje është e gatshme që t’i vazhdojë bisedimet me Bllokun nëse ata bien dakord që të ketë një qeverisje më ndryshe.
I pyetur se përse Lëvizja Vetëvendosje nuk e pranoi postin e kryeministrit që ia ofroi PDK-ja, ai ka thënë se jo pse Vetëvendosje nuk ka kapacitet, por që, sipas tij, PDK-ja është partia që e ka sjellë Kosovën në këtë katrahurë dhe për këtë arsye VV nuk dëshiron që të ketë edhe një qeverisje Thaçi 3.
“Natyrisht që VV ka kapacitet për postin e kryeministrit. Me protokoll nuk kemi pranuar që të flasim, sepse ne nuk i besojmë PDK-së. Sepse ne i konsiderojmë fajtorë të drejtpërdrejt për të gjithë atë që e ka sjellë Kosovën në këtë gjendje. Me PDK-në nuk bëjmë Qeveri, ne kemi thënë se VV nuk hyn kurrë në qeveri me PDK-në për shkak të të gjitha të këqijave që ia kanë bërë Kosovës”, është shprehur Ymeri, transmeton zëri.
Ai nuk e përjashtoj mundësinë që të hyjë në qeverisje edhe me listën “Srpska”, pasi që, sipas tij, kushdo që i pranon kushtet të cilat Vetëvendosje i ka paraqitur për një qeverisje më ndryshe, nuk do të ketë asnjë problem që të bashkëqeverisë, siç tha Ymeri, qoftë edhe Lista Srpska.