Liderët urojnë besimtarët myslimanë për Muajin e Shenjtë të Ramazanit

Besimtarët myslimanë, të cilët nesër fillojnë agjërimin e muajit të Ramazanit, kanë marrë urime, për paqe dhe agjerim të lehtë, nga Presidentja Jahjaga, Kryeparlamentari Krasniqi, Kryeministri Thaçi dhe liderët opozitarë.

Lajme

27/06/2014 16:08

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi kanë uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit.

Në urimet e tyre thuhet se muaji i Ramazanit është muaj i sakrificës, duke uruar që kjo periudhë kohore të shërbejë në afrimin me njëri tjetrin.

Presidentja Jahjga duke uruar agjërim të lehtë dhe ka thënë se muaji i Ramazanit, forcon besimin e njeriut me Zotin.

“Të gjithë besimtarëve myslimanë dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, ju uroj fillimin e muajit të Madhërishëm të Ramazanit, me dëshirat më të mira për një agjërim të lehtë, vullnet dhe besim”.

“Muaji i Ramazanit është muaj i sakrificës dhe i përkushtimit në forcimin e besimit në njeriun dhe në Perëndinë”.

“Uroj që ky muaj të kalojë në paqe dhe të na sjellë zemërgjerësi, dashuri dhe ndihmë për njëri-tjetrin, solidaritet për të gjithë njerëzit në nevojë, shëndet, begati dhe gëzime në familjet tona”.

“Të na shërbejë ky muaj për të reflektuar për punën tonë, për angazhimet dhe obligimet që kemi ndaj vetes, familjes, miqve dhe shoqërisë, duke forcuar besimin dhe misionin që e ka njeriu”.

“Në muajin e Bekuar të Ramazanit të kujtojmë të gjithë ata që u angazhuan dhe sakrifikuan për vendin”, thuhet në urimin e Presidentes Jahjga.

Besimtarët mysliman me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit i ka uruar edhe Kryeparlamentari Jakup Krasniqi.

“Urojmë që mes qytetarëve të Republikës së Kosovës të mbretërojë paqja dhe Mirëkuptimi”.

“Muaji i shenjtë i Ramazanit le të shërbejë për forcimin e solidaritetit dhe respektit ndërmjet njerëzve”, thuhet në urimin e kryeparlamentarit Krasniqi.

Edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e fillimit të Muajit të shenjtë të Ramazanit, ka përgëzuar kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava dhe të gjithë besimtarët islamë të Kosovës. 

“Edhe këtë vit, ashtu si edhe për vitet në vijim, urojmë që muaji i madhërishëm i Ramazanit të gjejë familjet tona në harmoni, mirëqenie, lumturi dhe dashuri. Urojmë që edhe këtë vit, muaji i madhërishëm i Ramazanit të pasqyrojë në mënyrë të denjë bindjen fetare dhe sprovën për t’iu përkushtuar lartësimit shpirtëror”

Mesazhe urimi për besimtarët myslimanë me rastin e fillimit të Muajit të Ramazanit kanë dërguar edhe liderët e partive politike opozitare.