Berisha: Statusi sukses madhor, Rama fajtor për vonesën

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE, e ka cilësuar si një arritje të madhe për Shqipërinë në rrugën drejt integrimit në BE. Por, ai ka fajësuar rivalin e tij politik, Edi Ramën, për vonesa.

Lajme

24/06/2014 13:59

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e ka cilësuar si arritje të madhe për Shqipërinë marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE, ndonëse, se sipas tij, kjo është me vonesë për shkak të Edi Ramës.

Berisha në një postim në rrjetin social Facebook, ka kujtuar reformat që ka bërë kur ishte kryeministër që rezultuan me suksesin e sotëm.

“Të dashur miq, sot Këshilli i Ministrave të vendeve anëtare të BE-së vendosi që Shqipërisë, ndonëse me vonesë për shkaqe kryekëput shqiptare, t’i jepet statusi i vendit kandidat për vend anëtar të Bashkimit Evropian. Kjo është një arritje madhore në rrugën e integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Para së gjithash është vlerësim i suksesit të reformave tona që kanë sjellë Shqipërinë në stadin e meritimit të plotë të statusit të vendit kandidat”.

“Me këtë rast unë dua t’u shpreh një mirënjohje të thellë atyre mijëra punonjësve të administratës shtetërore që, me punën, përkushtimin e tyre në hartimin, miratimin dhe zbatimin e mijëra ligjeve, vendimeve, rregullave, kritereve, standardeve, reformave, me përgjigjet e sakta të 2284 pyetjeve dhe 2000 nën pyetjeve të pyetësorit të Komisionit Europian dhe përgjigjen e merituar, bënë të mundur që Shqipëria të zbatojë me seriozitet Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, kërkesat për heqjen e vizave dhe të meritojë plotësisht që në tetor të vitit 2012 rekomandimin e përsëritur dhe në tetor te vitit 2013 të KE për statusin si dhe vendimin e sotëm të Ministrave të Jashtëm të BE”.

“Një mirënjohje të thellë të gjithë qytetarëve për mbështetjen e tyre për reformat që sollën statusin si dhe Ministrave të Jashtëm të BE, qeverive të vendeve anëtare për mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën e integrimit dhe për vendimin e tyre të drejtë të akordimit të statusit të vendit kandidat”.

“Por, sot duhet të rikujtojmë se ne morëm me vonesë statusin e vendit kandidat pasi Edi Rama, si asnjë politikan tjetër në Europë, në një akt të mirëfilltë antikombëtar, e bllokoi atë në dhjetor të vitit 2012 dhe në mars të vitit 2013, duke refuzuar votimin e tre ligjeve për të cilat ishte rënë dakord. Ftoj të gjithë shqiptarët të festojnë këtë vendim shumë të rëndësishëm në rrugën tonë drejt Europës”, ka shkruar Berisha.