Jahjaga: Rivendosja e barrikadës e papranueshme

Presidentja Atifete Jahjaga ka thënë se rivendosja e barrikadës në qytetin e Mitrovicës është e papranueshme dhe cenon lirinë e lëvizjes. Ndërkaq komandanti i KFOR-it, Salvatore Farina tha se ata janë duke u kujdesur për një situatë të qetë.

Lajme

19/06/2014 17:02

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, është takuar me komandantin – KFOR-it, gjeneralin Salvatore Farina, ku kanë diskutuar për gjendjen e sigurisë pas rivendosjes së barrikadës në Mitrovicë.

Pas takimit me komandantin Farina, Presidentja Jahjaga tha se rivendosja e barrikadës cenon lirinë e lëvizjes, thuhet në një komunikatë për media të dërguar nga presidenca.

“Rivendosja e barrikadës në urën e Mitrovicës, është e papranueshme dhe njëkohësisht cenon lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e vendit pa dallim. Ajo tha se rivendosja e barrikadës pengon përparimin e Kosovës dhe gjithashtu pengon integrimin e plotë të të gjithë qytetarëve në jetën shoqërore dhe institucionale të vendit”.

“Qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe komunitetin serb që jeton në pjesën veriore të vendit, përmes pjesëmarrjes së tyre edhe në zgjedhjet komunale të vitit 2013 dhe në ato të përgjithshme në qershor të këtij viti, kanë dëshmuar gatishmërinë për ndërtimin e një Kosove të përbashkët, demokratike dhe gjithëpërfshirëse ku do të sundojë rendi dhe ligji dhe në të cilën nuk ka vend për barrikada”, tha Jahjaga.

Ndërkaq, Komandanti i KFOR-it, gjenerali Farina e njoftoi Presidenten Jahjaga me gjendjen aktuale në këto komuna të Kosovës, pas rivendosjes së barrikadës në urën e Lumit Ibër në qytetin e Mitrovicës, duke thënë se KFOR-i ka shtuar masat e sigurisë për të garantuar një situatë të qetë.

“Forcat paqeruajtëse të NATO-s, KFOR, kanë shtuar praninë e tyre në këtë pjesë të qytetit për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët. është e nevojshme që çështjet të zgjidhen hap pas hapi duke krijuar mirëbesim ndërmjet qytetarëve dhe theksoi përkushtimin e KFOR-it për përmbushjen e misionit të tij në Kosovë”, citohet të ketë thënë Farina.