Sami Gashi dhe Rushit Berisha akuzohen për dy vepra penale

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj kundër të pandehurve: Sami Gashi dhe Rushit Berisha, për shkak të dyshimit se kanë kryer vepra penale. 

Lajme

18/06/2014 17:41

Veprat penale për të cilat akuzohen Gashi dhe Rushiti janë “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe vepra tjetër “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sipas një njoftimi të lëshuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ekziston dyshimi i bazuar se nga muaji korrik i vitit 2013 e deri në arrestimin e tyre, më 5 shtator 2013, duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar, në bashkëpunim më të pandehurit L. M., M. D. dhe V. D., të cilët janë arrestuar në Zvicër, si dhe me qëllim të përfitimeve të dobisë pasurore financiare, pa pasur autorizim kanë blerë dhe poseduar më qëllim të shitjes substanca narkotike të llojit marihuanë në sasi prej 122.4 kg.

“Sasia e narkotikut – marihuanës prej 102.4 kg është sekuestruar nga autoritetet e Republikës së Kosovës, ndërkaq sasia tjetër mbi 20 kg është sekuestruar nga autoritetet e Zvicrës”, thuhet në komunikatë.

Sami Gashit i është konfiskuar një banesë në Pejë, e cila është shfrytëzuar nga Gashi dhe ia ka mundësuar atij kryerjen e veprës penale.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, transmeton KosovaPress.