Belgjika fundos Algjerinë

Belgjika mposhti Algjerinë me rezultat 2:1 në duelin e Grupit H në Kampionatin botëror. Adnan Januzaj nuk debutoi, por skuadra e tij festoi falë dy golave nga rezervistët, Marouane Fellaini dhe Dries Mertens.

Sport

17/06/2014 20:49

Belgjika u rikthye nga disavantazhi prej një goli dhe mposhti Algjerinë me rezultat 2:1, në ballafaqimin e tyre të parë në kuadër të Grupit H, në Kampionatin botëror në Brazil.

Algjeria kaloi në epërsi të befasishme në minutën e 24-të, kur Sofiane Feghouli realizoi nga penalltia. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e algjerianëve.

Mirëpo, Belgjika nuk u dorëzua dhe u kundërpërgjigj pas intervalit. Rezervisti Marouane Fellaini e barazoi rezultatin në 1:1 në minutën e 70-të, kurse dhjetë minuta më vonë, rezervisti tjetër Dries Mertens e përmbysi rezultatin duke kaluar Belgjikën në epërsi, të cilën e ruajtën deri në fund duke marrë pikë të plota.

Adnan Januzaj ishte rezervist i pashfrytëzuar dhe duhet të pres rastin e tij në duelet e ardhshme.