Ronaldo kërcënon Gjermaninë

Cristiano Ronaldo thotë se është i gatshëm për duelin e sontëm me Gjermaninë. Ylli portugez e pranon se ndien paksa dhimbje, por thekson se kjo është normale. Ai zotohet se do të mundohet ta ndihmojë Portugalinë.

Sport

16/06/2014 12:10

Cristiano Ronaldo e ka pranuar se ndien ende paksa dhimbje në gju, por insiston se është 100 për qind i gatshëm për ndeshjen e sontme ndaj Gjermanisë në Grupin G.

“Problemet fizike i përkasin të së kaluarës. Që nga dita që e kam nisur karrierën, nuk ka kaluar një ditë pa ndier dhimbje. Është çështje e punës sime”, ka thënë CR7 para duelit që do të zhvillohet në Salvador.

“Është e qartë se do të doja të jem 110 për qind, por jam ende 100 për qind gati dhe mendoj se kjo është e mjaftueshme për ta ndihmuar ekipin kombëtar”, vazhdoi ylli i Real Madridit.

“Unë nuk e bëj punën e ekipit. Siç e kam thënë edhe më herët, jam këtu për të ndihmuar. Mund ta bëj diferencën në ndonjë lojë, por nuk mund ta marr në shpinë punën e ekipit”, përfundoi Ronaldo.