Irani dhe Amerika bashkohen kundër komandant Lavdrim Muhaxhirit

Irani shprehet i gatshëm të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara kundër kryengritësve sunit të Irakut (ISIS), ku ndër komandantët më të shquar të këtij grupi është edhe kosovari Lavdrim Muhaxhiri.

Bota

15/06/2014 16:16

Një ofensivë e islamikëve sunit që kërcënon të shpërbëjë Irakun, u ngadalësua gjatë ditës së djeshme, pas shumë ditë përparimesh të lehta, ndërsa forcat qeveritare raportuan se kanë rifituar territor në kundërsulme, duke lehtësuar presionin mbi qeverinë e udhëhequr nga Shiitët.

Zyrtarët irakianë thanë se po marrin iniciativën në terren, ndërsa Irani u shpreh i gatshëm të punojë krahas Shteteve të Bashkuara kundër ekstremistëve të Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit (ISIS).

Kryeministri, Nuri Al Maliki tregoi vendosmërinë e tij, duke vizituar qytetin Samara, që  gjendet 100 kilometra në veri të Bagdadit, pranë zonës ku patën depërtuar islamikët.

ISIS arriti të fitojë me lehtësi përballë ushtrisë së stërmadhe dhe të mirarmatosur të Irakut, ushtri që u shpërbë me shpejtësi përballë tyre, për shkak të moralit të dobët dhe korrupsionit. Por përparimi i ISIS rinxori në skenë forcat e milicisë shiite, të cilat janë të regjura në luftime dhe kanë moral më të fortë. Këto milici qenë forcat përcaktuese të luftimeve gjatë ditëve të fundit.

“Forcat tona të sigurisë kanë rifituar iniciativën për të nisur operacione cilësore në fronte të ndryshme përgjatë tri ditëve të fundit dhe kanë arritur fitore mbresëlënëse me ndihmën e vullnetarëve”, tha major-gjenerali Qasim al-Musavi.

“Ne kemi rifituar iniciativën dhe nuk do të ndalojmë në çlirimin e Mosulit nga terroristët e ISIS, por edhe të gjitha pjesëve të tjera”, shtoi ai.

Një zëdhënës i forcave antiterroriste tha se avionët irakianë kanë bombarduar një takim të udhëheqjes së Partisë Baath, e cila është e jashtëligjshme, duke vrarë 50 vetë.

Forcave të ISIS u janë bashkuar edhe shumë oficerë të ushtrisë së kohës së Sadam Huseinit, si dhe grupime të armatosura të pakënaqura, që dëshirojnë të rrëzojnë Malikin.

Trupat irakiane sulmuan formacionet e ISIS në zonat në veri të Bagdadit, duke i nxjerrë ata nga disa qyteza që i kishin pushtuar më parë.

Ndërkohë, vullnetarët e milicive shiite kryen një betejë të ashpër në qytezën Mukdadia kundër milicive vendore sunite.

Nuk është ende e qartë nëse forcat qeveritare janë në gjendje të vijojnë me ofensivën e tyre kundër kryengritjes sunite. ISIS vijoi të përparojë në disa fronte. Në Udhaim, një qytezë vetëm 90 kilometra larg Bagdadit, ISIS pushtoi ndërtesën e bashkisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë se janë të gatshme të ndihmojnë Irakun, por jo me trupa në terren, duke shtuar se ndërhyrja ushtarake duhet të shoqërohet me një proces politik për të krijuar një qeveri të përbashkët për mazhorancën shiite dhe minorancën sunite të këtij vendi. Të njëjtën gjë e deklaroi edhe Presidenti i Iranit, i cili tha se ishte i gatshëm të ndihmonte dhe të bashkëpunonte me SHBA-të, por nuk do të dërgonte trupa.

Gjithsesi nga Iraku ka raportime se Irani sakaq ka dërguar ekspertë ushtarakë në ndihmë të qeverisë së Malikit.

Militantët e ISIS synojnë të rishikojnë kufijtë e Lindjes së Mesme, të cilat u përcaktuan nga fuqitë koloniale europiane një shekull më parë.

Bashkëpunimi i mundshëm mes Iranit dhe SHBA-ve mund të ndryshojë historinë e armiqësisë mes regjimit të Teheranit dhe Washingtonit, armiqësi që ka filluar që nga viti 1979 me Revolucionin Islamik. (albtime.com)