Vëzhguesit e BE-së: Zgjedhjet e 8 qershorit, të suksesshme
Misioni i Vëzhguesve të Bashkimit Evropian i ka vlerësuar zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 8 qershor si hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të demokracisë në Kosovë.
Lajme
Në paraqitjen e raportit preliminar, shefi i vëzhguesve të BE-së, Roberto Gualtieri ka thënë se dita e mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë ka qenë e suksesshme. Ai tha se këto zgjedhje mund të thuhet se kanë qenë më të mira se ato lokale të mbajtura nga fundi i vitit të kaluar.
“Zgjedhjet e 8 qershorit kanë qenë transparente dhe të mirorganizuara. Dita e zgjedhjeve ka qenë e suksesshme dhe është shënuar një hap drejt konsolidimit të demokracisë në Kosovë”.
“Ne kemi vlerësim shumë të mirë për mbajtjen e zgjedhjeve”, deklaroi Gaultrieri.
Misioni i vëzhguesve të BE-së u shpreh i kënaqur edhe me pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje.
“Për herë të parë zgjedhjet parlamentare janë mbajtur në tërë territorin e Kosovës dhe me ligjet e Kosovës. Edhe Lista Srpska, ndonëse në fillim refuzoi, më pas ajo e vazhdoi fushatën e saj”.
“Të gjitha nivelet e administrimit i kanë organizuar shumë mirë zgjedhjet. Megjithë afatet e shkurtra, të cilat kanë paraqitur një sfidë të madhe, KQZ-ja ka arritur që t’iu përmbahet të gjitha afateve kohore”.
Gaultieri ka shtuar se zgjedhjet lokale kanë qenë një hap i rëndësishëm drejt demokracisë. \”Normalisht se zgjedhjet parlamentare ne i cilësojmë më të mira se ato lokale. Këto janë një hap drejt konsolidimit të demokracisë në Kosovë”.
Duke folur për KQZ-në, por edhe për tërë procesin zgjedhor, Gualtieri ka thënë se ka pasur tri elemente që janë evituar.
“Janë tri elemente, e para është formula krejt në fund e ndarjes së ulëseve, vendimi i ndalimit të vendosjes së posterëve, që PZAP tha se nuk ka bazë ligjore, dhe propozimi i KQZ-së që rinumërimi të ndodhë në QNR, vendim ky që u përjashtua”.
Ndërkaq, Gualtier tha se fushata de facto ka filluar më herët sesa zyrtarisht. Ai e ka parë si sfidë të madhe afatet e shkurtra.
“Fushata ka paraqitur një cilësi të re. Kjo fushatë ka qenë dinamike dhe e fokusuar në zhvillimin ekonomik dhe jo në retorika nacionalistë të cilat do të nxisnin popullatën”.
“Fushata ka filluara para afatit të saj zyrtar”, ka vlerësuar Gualtieri. Ai shtoi se dukuria e raportimit të keqpërdorimeve është gjë e mirë dhe, pavarësisht disa problemeve të vogla që kanë ndodhur, zgjedhjet konsiderohen si të suksesshme.