Diego në Fenerbahce

Fenerbahce ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes për transferimin e mesfushorit Diego, nga Atletico Madrid. Presidenti i klubit turk, Aziz Yildirim thotë se braziliani ishte objektivi kryesor i ekipit.

Sport

07/06/2014 14:38

Presidenti i Fenerbahces, Aziz Yildirim ka njoftuar se klubi turk ka arritur marrëveshje për transferimin e mesfushorit Diego, nga Atletico Madrid.

Ylli brazilian ishte futbollist i lirë pas skadimit të kontratës me Wolfsburgun prej ku ishte i huazuar në Vicente Calderon. Yildirim po ashtu konfirmoi se Diego do t’i bashkohet ekipit në përgatitjet e muajit korrik.

“Kemi arritur marrëveshje me Diegon. Nuk e kemi bërë ndonjë komunikatë zyrtare sepse mungon vetëm nënshkrimi i futbollistit. Por, gjithçka do të kryhet në muajin korrik kur edhe ai do t’i bashkohet ekipit në përgatitje. Diego ishte objektivi ynë kryesor i këtij afati kalimtar të verës. Nuk do të transferojmë askënd tjetër”, u shpreh Yildirim.

Diego i ndihmoi Atleticos të shpallet kampion i La Ligës.