Mustafa: Do ta ndalim orientimin aziatik duke u kthyer kah perëndimi

Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, u tha të martën qytetarëve të Ferizajt se vota për LDK-në më 8 qershor është fitore e orientimit perëndimor të Kosovës. Nëse fiton, ai ka thënë se Qeveria e tij nuk do të vihet mbi ligjin.

Lajme

03/06/2014 19:51

Mustafa u ka thënë ferizajasve se do të shënojë fitore në qytetin e tyre dhe në tërë Kosovën. Sipas tij, kjo do të jetë fitore e rëndësishme për demokracinë në Ballkan dhe Evropë.

Ai u shpreh i bindur se qytetarët e Ferizajt dhe gjithë Kosovës, me votën e tyre të lirë më 8 qershor, do ta ndalin degradimin në të cilin, sipas tij, vendin e ka futur qeverisja e keqe, do ta ndalin orientimin aziatik dhe do ta kthejnë Kosovën kah orientimi perëndimor, pjesë e të cilit Kosova dhe qytetarët e saj janë natyralisht.

“Do të bëjmë prerje nga sjellja aziatike, nga ata që mendojnë se po mbretërojnë me Kosovën dhe që e kanë pronë të tyre. Qytetarët e kosovës, më 8 qershor nuk kanë arsye të japin votën për mashtrimet. Atyre që kanë abuzuar me taksat e tyre. Atyre që kanë përgjysmuar zhvillimin ekonomik, kanë rritur e thelluar krimin e korrupsionin, që kanë rritur vetëm oligarkinë e tyre”, ka thënë Mustafa.

Për të mundësuar këtë kthesë të madhe të Kosovës, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka theksuar se Kosova më 8 qershor duhet të zhvillojë zgjedhje të mira, të qeta dhe demokratike.

Sipas tij, LDK-ja është përgatitur mirë, ka programin më të mirë, kandidatët më të mirë dhe do të shënojë fitore të madhe, e cila do të jetë fitore e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Qeveria e LDK-së, të cilën do ta drejtoj me vullnetin e qytetarëve, do ta qeverisë vendin në mënyrën më të përgjegjshme dhe më të drejtë të mundshme. LDK-ja do të qeverisë mirë, do ta zhvillojë Kosovën dhe qeverisja e LDK-së do ta anëtarësojë Kosovën në Bashkimin Evropian”.

Mustafa ka theksuar se qeveria që ai do të drejtojë, do t’i japë mundësi pune atyre që mund të punojnë dhe përmes zbatimit të ekonomisë sociale të tregut, të kujdeset për shtresat në nevojë.

“Qeveria e re e Kosovës do ta zbatojë ligjin. Qeveria ime nuk do të vihet mbi ligjin, por do të respektojë atë, do të sigurojë pavarësi pushtetesh, të luftojë korrupsionin si të keqen më të madhe, krimin e organizuar, karvanet e kontrabandës nga veriu dhe t’ua ndërprejmë manipuluesve keqpërdorimin dhe dëmtimin ekonomik të Kosovës dhe do t’i vë përpara përgjegjësisë të gjithë shkelësit”, ka thënë ai.