Nga sot Kosova dhe Shqipëria me sistem arsimor të unifikuar
Kosova dhe Shqipëria do të kenë një sistem të përbashkët arsimor. Marrëveshja e njësimit të kurrikulave arsimore është nënshkruar sot në Tiranë nga ministrja e Arsimit të Shqipërisë Lindita Nikolla dhe ministri i Kosovës Ramë Buja.
Lajme
Të dy ministrat e kanë quajtur këtë marrëveshje si historike, dhe të pritur prej kohësh.
Ministrja Nikolla tha se në shtator do të fillojë zbatimi konkret i projektit, në të 12 qarqet e vendit në fshat dhe në qytet.
“Sot u kry, është një ditë historike, ja dolëm të unifikojmë sistemin arsimor shqiptar me atë të Kosovës. Thelbi i kësaj marrëveshje, nuk është thjesht një dakordësi, por është një proces që fal bashkëpunimit të ekspertëve tanë, sot na ftojnë dy ministritë për të startuar punën që këtë shtator ti japim jetë kësaj kurrikule të re Kosovë-Shqipëri”.
“Çfarë e bën historike këtë marrëveshje; Kurrikula e re mundëson modalitet, lëvizshmëri, ku nxënësit e Kosovës mund të ndjekin shkollat shqiptare dhe anasjelltas, por që mund të ndjekin edhe shkollat në vendet e BE-së pasi kjo është kurrikula zyrtare e vendeve të BE-së”, ka thënë ministrja Nikolla.
Ndërsa, ministri i Arsimit i Kosovës, Ramë Buja e cilësoi këtë marrëveshje si më historiken dhe më kuptimplotën për kombin shqiptar.
“Kam përjetuar shumë nënshkrime por kaq historike jo, ky është nënshkrimi më kuptimplotë për kombin. Nuk ka rëndësi se nga morëm më shumë nga Kosova apo nga kurrikula e Shqipërisë, rëndësi ka unfikimi. Falënderoj grupin e ekspertëve të cilët mundësuan që Kosova dhe Shqipëria tani më janë bashkë në dije. Urime e gëzofshim dhe e realizofshim”, ka thënë ministri Buja.
I pranishëm ishte edhe kryeministri Rama, i cili këtë marrëveshje të cilën e cilësoi të rëndësishme edhe për të ardhmen e të dy vendeve drejt europianizimit. Për kryeministrin Rama, puna për unfikimin e kurriklave përbën mundësinë tonë të madhe edhe për të ndaluar rënien e gjuhës shqipe.
“Firmosja e kësaj marrëveshje do ta fus këtë vit në historinë e zhvillimit të arsimit shqiptar. Punën që do bëhet për bashkimin duhet ta shfrytëzojmë si një mundësi të artë për të bashkuar eksperiencat dhe apsiratat drejt europianizimit të sistemit tonë arsimor. Kjo është një ecje e përbashkët mbi atë se çka duam nesër”.
“Lëvizja për unfikim nis në një kohë kur këmbanat e alarmit po bien fort për përdorimin e shqipes. Sikur mos të mjaftonte rënia dramatike e përdorimit të shqipes, ka pasur edhe një hakmarrje të gjuhës së njehsuar ku janë përzier gjysma mendje. Është koha për ta ndarë shkencën nga politika”.
“Puna për unfikimin e kurriklave përbën mundësinë tonë të madhe për të ndaluar rënien e gjuhës shqipe. Ta shohim këtë marrëveshje si një mjet të ri gjithëkombëtar për vendosjen e një rendi të ri të përdorimit të shqipes. Nuk ka shtet sot në botë që nuk synon hapësirën gjuhësore të vetën. Në këtë rrugë synojmë 2 gjëra unfikimin dhe modernizimin inovacionin dhe progresin,” tha kryeministri Rama. (kosovapress)