Man Utd ‘transferon’ Mirandan
Qendërmbrojtësi i Atletico Madridit, Miranda, shumë shpejt do të prezantohet si futbollist i ri i Manchester Unitedit. Braziliani do t’i kushtojë gjigantit nga Old Trafford rreth 30 milionë euro.
Sport
Miranda nuk do të luajë në Atletico Madrid edhe gjatë sezonit të ardhshëm.
Qendërmbrojtësi brazilian është shumë pranë transferimit në Manchester United, ka bërë të ditur e përditshmja sportive madrilene As. Gjithçka është gati që braziliani të jetë qendërmbrojtës i ri i gjigantit nga Old Trafford për sezonin 2014-15.
Miranda ishte një prej futbollistëve kryesorë të Atletico Madridit në sezonin e fundit, duke krijuar një ‘mur’ në qendër të mbrojtjes së bashku me Diego Godinin.
Manchester United me menaxherin e ri Louis van Gaal janë në kërkim të një zëvendësuesi për serbin Nemanja Vidic i cili është larguar nga klubi, dhe ka nënshkruar për Interin, dhe Miranda pritet të jetë pasardhës i tij.
United do ta blejë Mirandan për rreth 30 milionë euro.