Thaçi i premton Gjakovës lidhjen me Rrugën e Kombit
Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, gjatë shpalosjes së Misionit të Ri para qytetarëve të Gjakovës, ka paralajmëruar se këtë qytet do ta lidhë me Rrugën e Kombit.
Lajme
Sipas tij, përmes Misionit të Ri, i cili fokus kryesor ka zhvillimin ekonomik, Gjakova do të zhvillohet ekonomikisht dhe do të jetë njëra nga përfitueset më të mëdha në Fondin e Punësimit.
“Zotohem se me rishikimin e buxhetit, ne brenda gjashtë muajve të ardhshëm do të fillojmë ndërtimin e një autostrade, që të lidhim Gjakovën me Rrugën e Kombit, me Prizrenin dhe Tiranën”, ka paralajmëruar Thaçi.
Ai iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Gjakovës, pa dallime partiake apo ideologjike, që të bashkohen rreth Misionit të Ri, i cili do t’i sigurojë 200 mijë vende të reja të punës.
“Zhvillimi do energji, guxim e këmbëngulje. Do njerëz që nuk ndalojnë së punuari dhe jo njerëz që rrinë me duar në xhepa”, ka thënë ai.
Duke folur për programin e PDK-së, Thaçi ka theksuar se Misioni i Ri nënkupton një mazhorancë të fuqishme, me mbi 40 deputetë në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që të mund të merren vendime të rëndësishme, vendime për ekonominë, zhvillimin dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
“Fondi i Punësimit do të dyfishojë prodhimin vendor dhe përmes industrializimit ju do t’i shihni fabrikat e Gjakovës përsëri të rihapura”, ka shtuar Thaçi.