Zbogar: Duhet larguar bllokadat në Veri

Samuel Zbogar thotë se barrikada në Mitrovicë duhet larguar për shumë arsye. Sipas tij, Kosova është në rrugë të mirë drejt liberalizimit të vizave dhe se tashmë BE po përgatitet për raportin e dytë për këtë qëllim.

Lajme

21/05/2014 18:34

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, thotë se barrikada në Mitrovicë duhet larguar për shumë arsye, përderisa e vlerëson se ajo nuk është vetëm bllokadë fizike por edhe psikike.

Ai gjatë një ligjërate para studentëve të Kolegjit “Riinvest” në Prishtinë, tha se Kosova është në rrugë të mirë drejt liberalizimit të vizave dhe se tashmë BE po përgatitet për raportin e dytë për këtë qëllim.

“Jemi këtu që t’i largojmë të gjitha barrikadat që ka Kosova në rrugën drejt normalizimit të jetës në Kosovë dhe drejt largimit të barrikadave që do t’i mundësojnë Kosovës rrugën drejt BE-së. Barrikada e radhës që paraqitet për Kosovën është liberalizimi i vizave. Kosova ka bërë mjaft në këtë aspekt sidomos në vitin e kaluar”.

“Tani po përgatitemi për raportin e dytë për liberalizim të vizave dhe besoj se … ekonomia është një ndalesë rrugore tepër e rëndësishme. Edhe po të kishte liberalizim të vizave, qytetarët do të kishin të pamundur të udhëtonin në Evropë, në mungesë të parave për shkak të numrit jashtëzakonisht të madh të të papunëve”, ka thënë ai, raporton KosovaPress.

“Blloku tjetër i rëndësishëm është bllokada rrugore. EULEX nuk është bllokadë rrugore, por në të vërtetë si një ndihmë për ta hequr atw bllokadë. Ne kërkojmë që të kuptohet sundimi i ligjit dhe funksionimi i institucioneve të sundimit të ligjit këtu në Kosovë dhe për këtë mendoj që është e rëndësishme që të punohet në bllokadën rrugore në mënyrë qw ajo tw largohet, sepse është e rëndësishme për viza, është e rëndësishme për përparim drejtë bashkimit evropian, por më me rëndësi për vet Kosovën për t\’u parë që ka institucione funksionale, kur flasim për bllokada rrugore, sigurisht që nuk mund ta shmangim bllokimin e rrugës në mënyrë fizike që ekziston në Mitrovicë dhe për këtë ne jemi këtu, për ta larguar atë, bllokada rrugore në Mitrovicë nuk është vetëm fizike, është bllokadë fizike që prezanton edhe bllokadë psikike”, ka thënë Zhbogar.

Ai ka folur edhe për zgjedhjet e përgjithshme të cilat pritet të mbahen në Kosovë. Ai pret që zgjedhjet të jenë edhe më të mira se ato lokale që u mbajtën në fund të vitit të kaluar. Thotë se krejt çka nevojitet është vullneti politik.

(KosovaPress)