Fidanët e mollëve, Komuna e Istogut i pagoi mbi 10 fish më shtrenjtë!
Komuna e Istogut ka blerë fidanë të mollës dhe të kumbullës me çmim prej 2.26 centë për njësi, fidanë këta që, sipas agronomëve, në po të njëjtën komunë shiten me çmim prej 1.30 e deri në 2 euro, më së shtrenjti.

Lajme
Jonuz Kabashi, drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Hidroekonomisë në Komunën e Istogut i tha agjencisë KosovaPress se çmimin e arsyeton cilësia shumë e lartë e fidanëve, garancia se fidanët do të lëshojnë fruta shumë shpejt, si dhe shartimi i tyre.
“Ne e kemi pas projektin kumbull edhe mollë, ndërsa te molla e kemi pas N9-shin dhe 106-shin. N9-shi është më profitabil dhe kërkohet më shumë te njerëzit profesionalist çka janë, tek fermerët profesionalist, mirëpo edhe 106-shi është shumë i mirë, sepse është kultivuar këtu dhe ne i kemi përkrahë fermerët e vegjël dhe të mesëm, domethënë prej 20 ari e deri në një hektar, kështu që kërkesa e tyre ka qenë 106-shi dhe N9-shi”, ka thënë ai.
Ndërsa, zyrtari i prokurimit në Istog, Gëzim Ademaj ka thënë se për përzgjedhjen e kompanisë Shpresa për blerjen e pemëve Komuna është bazuar në dy kritere.
“Bazuar në Ligjin e Prokurimit Publik, tek kriteret e vlerësimit janë dy kritere, është oferta përgjegjëse me çmim më të ulët dhe oferta përgjegjëse apo më e favorshme, për përgatitjen e dosjes së tenderit, për shkak të natyrës së aktivitetit të prokurimit, ne e kemi përzgjedh si kriter për vlerësim është oferta ekonomikisht më e favorshme me nënkritere…Operatorët ekonomik të cilët kanë bërë kërkesë për pjesëmarrje në aktivitetin e prokurimit qysh me kohë janë njoftuar se kriter për vlerësim nuk është çmimi më i ulët por është oferta ekonomikisht më e favorshme me nënkritere. Kjo nënkupton që kriteret janë të përcaktuara në dosjen e tenderit dhe në njoftimin për kontratë që bëhen në faqen zyrtare”, ka thënë Ademaj.
Ai është shprehur se nuk është përzgjedhë oferta më e lirë, por ka shtuar se kjo ofertë i ka plotësuar disa nën-kritere, sipas Ademajt, shumë të rëndësishme për kontratë e që janë zor të matshme.
Mirëpo, Rexhep Shoshi, një agronom nga Istogu, i cili i kultivon të njëjtit fidanë sikur ato që janë kontraktuar nga Komuna e Istogut me çmim prej 21.26 centë, thotë se çmimi për njësi në serën e tij sillet rreth 1 euro e 50 centë.
“Merrem me kultivimin e fidanëve të mollës, dardhës, kumbullës dhe fidanëve të tjerë. Kryesisht merrem me kultivimin e fidanëve me nënshartesë N9 dhe N106 dhe me nënshartesë të ftonit NA dhe NC… Në Kosovë është në treg që në bazë të cilësisë shkon diku prej 1 euro e 30 deri në një 1.50, 1.70 apo deri në 2 euro, sipas cilësisë së saj, këtu më shumë nuk ka shku, më shumë se 1 euro e gjysmë, kanë shku ato të fidanit 1 vjeçar, kurse ato dyvjeçare ende nuk e kemi pas këtë fat për me mujt me fut në treg”, ka theksuar ai.
Sipas Shoshit, çmimi më i lartë me të cilin shiten fidanët e këtij tipi, është 4 euro, e i cili çmim shkon për fidanë të importuara nga Perëndimi me cilësinë më të lartë.
Njoftimi për dhënie të kontratës për furnizim me fidanë për ngritjen e pemishteve, në faqen zyrtare të Komunës së Istogut është bërë më 13 nëntor 2013, derisa data e nënshkrimit të kontratës ka qenë 25 nëntori i po atij viti.
Sipas këtij njoftimi dhe numrit të prokurimit 633 13065121-R, fitues i tenderit është firma “Shpresa” nga Istogu. Vlera e përgjithshme e kontratës është 60 mijë euro.