Thaçi: Do t’i vije radha edhe “monumentit të Millosheviqit”

Rrënimi i objektit të pa përfunduar të Kishës Ortodokse në Prishtinë, do të ndikonte edhe te ndërtimi i objektet tjera fetare që janë në ndërtim e sipër, ose që planifikohen të ndërtohen, thotë Kryeministri, Hashim Thaçi. 

Lajme

02/05/2014 15:16

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se objekt i papërfunduar i Kishës Ortodokse në oborrin Universitetit të Prishtinës, është një “veprim i tmerrshëm”.

Në një intervistë në emisionin Metropol në Radio Kosovë, tha se kjo kishë është “monument i kohës së Sllobodan Millosheviqit”.

I pyetur se çfarë do të ndodhë me këtë kishë, Thaçi ka thënë se “tashmë ekzistojnë çështje më të rëndësishme me të cilat duhet të merren, po edhe asaj do t’i vijë radha”.

Ai vlerësoi se rrënimi i kësaj kishe do të tërheqte paralele edhe te objektet fetare të nisura së ndërtuari kohëve të fundit, siç është Katedralja Nënë Tereza dhe planifikimi për ndërtimin e një Xhamie të madhe.

Tema e rrënimit të objektit të papërfunduar të Kishës Ortodokse në hapësirën e UP-së, ka ngjallë reagime të shumta. Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, pati thënë se ky objekt është pa leje.