Terry mungon në Botëror
John Terry ka insistuar se nuk do të rikthehet në Kombëtaren e Anglisë për Kampionatin botëror në Brazil. Qendërmbrojtësi i Chelseas thotë se gjatë verës do të jetë në pushime me familjen.

Sport
John Terry ka mohuar njoftimet rreth rikthimit në ekipin e Anglisë për Kampionatin botëror në verë, duke insistuar se nuk synon t’i bashkohet skuadrës së udhëhequr nga Roy Hodgson.
Terry u ballafaqua me thirrje për rikthim në ekipin e Anglisë si partner i bashkëlojtarit të tij nga Chelsea, Gary Cahill në qendër të mbrojtjes në Brazil, pasi kaloi një edicion të formës së jashtëzakonshme te Blues.
Por, ish kapiteni i Anglisë ka thënë se nuk e ka ndërmend të rikthehet dhe do të qëndrojë në plazh me familjen e tij gjatë verës.
“100 përqind, unë do të jem në pushime gjatë kësaj vere, tashmë e kam bërë të qartë”, deklaroi ai.
“Qëndrimi im është shumë i qartë rreth kësaj, edhe pse shumë njerëz nuk e kuptojnë. Por, i uroj ekipit të Anglisë dhe Royt gjitha të mirat. Do t’i përkrahi ata me pak sa rreze dielli”.