NISMA për Kosovën dhe Bashkimi Demokratik bëhen bashkë në Prizren
Në Prizren është mbajtur një takim i përbashkët ndërmjet strukturave të NISMA për Kosovën dhe Bashkimit Demokratik (BD), për bashkërendimin e aktiviteteve në prag të fushatës zgjedhore. Në këtë takim kanë marrë pjesë kryetari i këtij subjekti të ri politik, Fatmir Limaj, kryetari i Këshillit kombëtar, Jakup Krasniqi, si dhe kryetari i Bashkimit Demokratik, Zafir Berisha.

Lajme
Duke shpalosur pjesë të programit të NISMA, Krasniqi ka thënë se nuk është vetëm sfidë e Nismës se si do ecim bashkë tutje në zhvillimin e demokracisë, në ndërtimin e shtetit të se drejtës, në zhvillimin ekonomik dhe në krijimin e mirëqenies qytetare, sfida është për secilin subjekt politik e qytetar të Republikës sonë, por këtë duhet ta ndjen çdo qytetar i saj, kudo që ai apo ajo punon e jeton.
Krasniqi tha se NISMA me Bashkimin Demokratik po e nis një rrugë të re për Prizrenin dhe Kosovën, qytetarët janë ata që do ta vulosin fatin e tyre dhe fatin tonë të përbashkët.
Ndërsa, Limaj ka thënë se qëllimi i këtij takimi është bashkimi i forcave dhe strukturave të NISMA për Kosovën dhe Bashkimit Demokratik në Prizren, në mënyrë që edhe ata që kanë pasur dilema ta kuptojnë se Prizrenin e ka fituar kjo strukturë politike.
“Ky bashkim është mesazhi më mirë që ju dërgohet qytetarëve të Prizrenit, të cilët kanë pritur të shohin një frymë shprese, pikërisht atyre qytetarëve të cilëve për një kohë ju ka humbur shpresa dhe e kanë pasur të vështirë të besojnë se edhe në Prizren vjen ndryshimi”, tha tutje Limaj.
“Ne kemi vetëm një objektiv në Prizren, t’ua kthejmë Prizrenin qytetarëve të saj, ne duam që qytetarët e Prizrenit të zgjedhin dhe të qeverisin vet me qytetin e tyre”.
Zafir Berisha, ndëkaq, tha se “ne nuk na bashkon veç ngjyra e subjekteve politike, por na bashkon bërja e shtetit të Kosovës, ky shtet i cili për fat të keq është vënë në pikëpyetje nga një garniturë politike e cila çdo ditë e më tepër po degradon vlerat demokratike dhe kombëtare të Kosovës”.