Kerry për Izraelin e Palestinën: Dy shtete ose “aparteid”
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ka paralajmëruar rrezikun që Izraeli të bëhet “një shtet aparteidi”, nëse zgjidhja dy-shtetërore e konfliktit me palestinezët nuk arrihet së shpejti. Komentet e tij u kapën gjatë një regjistrimi të një takimi me dyer të mbyllura, raporton “Daily Beast”.

Bota
Raundi aktual i bisedimeve të drejtpërdrejta mes izraelitëve dhe palestinezëve duket të jetë në një rrugë pa krye. Por, presidenti Barack Obama deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk do të braktisin përpjekjet e tyre për paqe në Lindjen e Mesme.
Obama kishte refuzuar më parë të përdorte termin “aparteid” në diskutimet mbi procesin e paqes në Lindjen e Mesme, duke e quajtur atë të padobishëm dhe të pasaktë. Por, në fjalimin e mbajtur përpara një grupi zyrtarësh të rangut të lartë nga SHBA, Europa dhe Japonia, të njohur edhe si Komisioni Trepalësh, Kerry e përdori këtë term.
“Një zgjidhje dy-shtetërore duhet të theksohet në mënyrë shumë të qartë si e vetmja alternativë reale”, tha Kerry, transmeton TCH. “Kjo, sepse një shtet unitar rrezikon të jetë edhe një shtet aparteidi me qytetarët e dorës së dytë, ose mund të përfundojë të jetë një shtet që shkatërron kapacitetin e Izraelit për të qenë një shtet hebre”.
Kerry, siç raportohet, ka sugjeruar gjithashtu që marrëveshja e paqes të vijë ndoshta edhe me ndryshimin e udhëheqësve izraelito-palestinezë, si dhe kritikoi ashpër ndërtimet e blloqeve të banesave hebraike në territoret e pushtuara.
Në një deklaratë për BBC, Departamenti amerikan i Shtetit theksoi se liderët e Izraelit kanë përdorur termin “shtet aparteidi” më parë, për të paralajmëruar mbi pasojat e dështimit të procesit të paqes.
“Sekretari Kerry – ashtu si dhe ministri i Drejtësisë, Tzipi Livni, dhe ish-kryeministrat izraelitë Ehud Olmert dhe Ehud Barak, – ka përsëritur se përse nuk mund të ketë zgjidhje një-shtetërore, nëse njerëzit do të mendojnë mbi parimet e një shteti hebre”, tha zëdhënësja e DASH, Jen Psaki.
“Ai ka folur mbi llojin e së ardhmes që dëshiron Izraeli, si dhe llojin e së ardhmes që duan të parashikojnë të dy bashkë, izraelitët dhe palestinezët. E vetmja rrugë për të pasur dy shtete dhe dy popuj, që jetojnë krah për krah njëri-tjetrit në paqe dhe siguri, është përmes zgjidhjes dy-shtetërore. Pa këtë zgjidhje, niveli i prosperitetit dhe sigurisë që kërkojnë popujt e Izraelit dhe Palestinës është i pamundur”.